Francë – Programi i qeverisë merr votëbesimin e gjerë të Asamblesë Kombëtare

Nga gjithsej 566 deputetë të pranishëm në votim, 370 shprehën mbështetjen e tyre për programin politik të prezantuar nga kryeministri i emëruar nga Presidenti Emmanuel Macron, 67 votuan kundër dhe 129 abstenuan...

Francë – Programi i qeverisë merr votëbesimin e gjerë të Asamblesë Kombëtare

Kryeministri francez, Eduard Philippe, mori të martën në mbrëmje një besim të gjerë nga Asambleja Kombëtare me 577 deputetë pasi paraqiti programin ambicioz të reformave ekonomike dhe sociale duke bashkuar masat në favor biznesit dhe premtimet për reduktimin e shpenzimeve.

Nga gjithsej 566 deputetë të pranishëm në votim, 370 shprehën mbështetjen e tyre për programin politik të prezantuar nga kryeministri i emëruar nga Presidenti Emmanuel Macron, 67 votuan kundër dhe 129 abstenuan.

Gjatë fjalimit të tij përpara votimit rreth programit të qeverisë, Philippe u fokusua kryesisht mbi çështjet ekonomike dhe ato sociale.

Masat për reduktimin e shpenzimeve publike dhe heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila është ende në fuqi në Francë, jo më vonë se data 1 nëntor e këtij viti, ishin dy çështjet më të spikatshme të fjalimit të tij.

Ai theksoi gjithashtu se gjatë javës së ardhshme do të shpallin edhe disa vendime, që qeveria ka marrë për të luftuar kundër emigracionit të jashtëligjshëm dhe për të riorganizuar sistemin e azilit.

Kurse pas votëbesimit, Kryeministri Philippe falënderoi të gjithë deputetët që e votuan, si dhe shprehu respekt për ata që vepruan ndryshe.

Dy ditë më parë, Presidenti Emmanuel Macron gjithashtu mblodhi Senatin dhe Asamblenë Kombëtare në Pallatin e Versajës për të informuar të zgjedhurit në lidhje me programin e qeverisë.



Lajme të ngjashme