Xhubejr: Hapat që do të hidhen varen nga përgjigjja e Katarit

"Qëllimi i masave të marra është vendosja e marrëdhënieve më të mira me Katarin dhe ndryshimi i politikave të Katarit, për të cilat mendojnë se janë të këqija për vendet e rajonit dhe të botës", deklaroi ministri i Jashtëm i A. Saudite.

Xhubejr: Hapat që do të hidhen varen nga përgjigjja e Katarit

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adil el-Xhubejr deklaroi se pas pak orëve do të marrin përgjigjen e Katarit për listën e kërkesave të përbërë prej 13 pikëve.

Ministri Xhubejr gjatë konferencës për shtyp të organizuar pas takimit me homologun e tij gjerman, Sigmar Gabriel, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vendin e tij, deklaroi se me mysafirin biseduan në lidhje me krizën e Gjirit dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Xhubejr bëri të ditur se me homologun e tij gjerman gjithashtu biseduan për ndaljen e financimit të terrorit, rëndësinë e luftës kundër ekstremizmit dhe krimeve të urrejtjes, ndërsa shtoi se qëllimi i masave të marra është vendosja e marrëdhënieve më të mira me Katarin dhe ndryshimi i politikave të Katarit, për të cilat mendojnë se janë të këqija për vendet e rajonit dhe të botës.

 

“Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit do të marrin gjatë orëve në vijim përgjigjen e Katarit për listën e kërkesave. Më pas ministrat e jashtëm të vendeve përkatëse ditën e mërkurë do të punojnë me përpikëri për të përcaktuar hapat që do të hidhen ndaj Katarit”, deklaroi Xhubejr, ndërsa shtoi se shpreson që Katari të jap përgjigje pozitive ndaj kërkesave me qëllim të zgjidhjes së kësaj krize.

Edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel tha se përkrahin përpjekjet e Kuvajtit për ndërmjetësim në zgjidhjen e krizës dhe në ruajtjen e unitetit të vendeve të Gjirit.



Lajme të ngjashme