Zvicra mirëpret sërish negociatat e Qipros

Negociatat për zgjidhjen e problemit qipriot mbahen në qytezën Crans-Montana të Zvicrës nën kujdesin e Këshilltarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Qipron, Espen Barth Eide.

Zvicra mirëpret sërish negociatat e Qipros

Raundi i parë, ku u trajtuan kapitujt për sigurinë dhe garancitë, u mbyll me mesazhe mjaft pozitive.

Ministri i Jashtëm, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu), i cili merr pjesë në emër të Turqisë në këto bisedime, tha: “Ne kemi ardhur këtu për zgjidhje. Tashmë i duhet gjetur një zgjidhje këtij problemi që vazhdon për 50 vite me radhë”.

Delegacioni turk, i kryesuar nga Çavushollu, arsyetoi përse është e domosdoshme të vazhdohet me sistemin aktual të sigurisë në ishull.

Delegacioni turk theksoi se shqetësimet e drejta të palës turke të Qipros, shqetësime që burojnë nga përvoja e hidhur në të kaluarën, janë mjaft të rëndësishme për sistemin e sigurisë dhe garancisë që do të përmbajë zgjidhja e mundshme në këto bisedime.

 

Gjatë bisedimeve u tha se konferenca nuk është një platformë, ku trajtohet vetëm kapitulli i sigurisë dhe garancisë, por duhet ditur edhe se si do të jetë rendi kushtetues që do të dalë nga bisedimet që vazhdojnë në ishull mes palëve.

Delegacioni turk gjithashtu theksoi se lidhur me çështjet e hapura në kapitujt që negociohen midis të dy palëve duhet arritur përparim, pasi kjo është e nevojshme për suksesin e konferencës.

Ndërkohë, një reagim të madh kanë ngjallur edhe lajmet që kanë qarkulluar në median grekoqipriote lidhur me propozimin e Turqisë për sistemin e garancive në ishull.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Hysejin Myftyollu (Huseyin Müftüoğlu) theksoi se nuk janë të vërteta lajmet mbi tërheqjen e ushtarëve që Turqia ka në ishull sipas një plani me 4 faza dhe përqindjet që citohen në këto lajme. 

Këshilltari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Qipron, Espen Barth Eide në një prononcim tha: "Kemi bërë një fillim të mirë, kemi kaluar shumë faza. Kemi bërë përparim".

Eide sqaroi se bisedimet dypalëshe që ai do të realizojë si me përfaqësuesit e vendeve garantuese (në Qipro), ashtu edhe me liderët e dy të pjesëve të ishullit do të vazhdojnë në mënyrë “paralele” gjatë të gjithë konferencës. 

Duke deklaruar se ishte inkurajuar nga mesazhet që kishte dëgjuar nga palët që në ditën e parë të konferencës, Eide theksoi se kjo tregon që të gjitha palët kanë ardhur në Crans-Montana me vendosmërinë për ta zgjidhur problemin e Qipros.

Eide deklaroi se për suksesin e konferencës do të organizohen takime dypalëshe, pesëpalëshe dhe në formate të ndryshme.

Jeffrey Feltman, Ndihmësi i të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Çështjet Politike, i cili në konferencë merr pjesë duke përfaqësuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, njoftoi se këtë fundjavë Guterres do të vijë në Crans-Montana për të marrë pjesë në Konferencën e Qipros.

Raundi i ri i Konferencës së Qipros, e cila ka filluar me sesionin e parë që është mbajtur në Gjenevë më 12 janar të këtij viti me qëllim arritjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse në Qipro, rifilloi të mërkurën në qytetin zviceran Crans-Montana. Konferenca organizohet nga OKB dhe pritet që negociatat të vazhdojnë deri më 7 korrik.

Në Qendrën e Kongresve “Le Regent”, Eide priti me radhë tek dera udhëheqësin grekoqipriot Nikos Anastasiadis, Nënkryetarin e Parë të Komisionit Evropian (KE) Frans Timmermans, Presidentin e Republikës Turke të Qipros Veriore (RTQV) Mustafa Akënxhë (Mustafa Akıncı), ministrin e Jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu).

Boris Johnson, ministri i Jashtëm britanik, një prej vendeve garantuese në ishull, pas darkës që ishte shtruar të martën për nder të pjesëmarrësve, ishte kthyer në Angli. Britaninë e Madhe në këtë Konferencë e përfaqëson Përfaqësuesi Special i këtij vendi për Qipron Jonathan Allen.

OKB njoftoi se me një vendim që kishte marrë më 9 qershor bisedimet e Qipros do të rifillonin sërish më 28 qershor në Gjenevë, ku krahas Presidentit të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV) Mustafa Akënxhë dhe liderit grekoqipriot Nikos Anastasiadis do të merrnin pjesë edhe përfaqësues nga vendet garantuese (Turqia, Greqia dhe Anglia) si dhe Bashkimi Evropian (BE) si vëzhgues.



Lajme të ngjashme