SHBA – Comey lejon shqyrtimin e promemorieve të tij rreth bisedave me Trump

Komiteti i Inteligjencës së Senatit amerikan njoftoi të mërkurën se kishte arritur një marrëveshje, e cila do t'i lejonte atij që të shihte promemoriet e shkruara nga ish-shefi i FBI-së, James Comey, rreth bisedave të tij me Presidentin Donald Trump...

SHBA – Comey lejon shqyrtimin e promemorieve të tij rreth bisedave me Trump

Udhëheqësit e Komitetit të Inteligjencës së Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaruan të mërkurën se kishin arritur një marrëveshje, e cila do t'u lejonte atyre që të shihnin promemoriet e shkruara nga ish-drejtori i Zyrës Federale të Hetimeve (FBI), James Comey, rreth takimeve të tij me Presidentin Donald Trump.

Marrëdhënia e Comey-t me Trump-in ka qenë në qendër të hetimeve në vazhdim për ndërhyrjen e mundshme ruse në presidencialet amerikane të vitit 2016 dhe nëse ka pasur bashkëpunim midis ekipit të Trump-it dhe Moskës.

Ligjvënësit kanë ngritur pyetje rreth asaj nëse Presidenti Trump e ka shkarkuar Comey-in më 9 maj në mënyrë që të pengojë hetimin në lidhje me ndërhyrjen ruse.

“Ne kemi një marrëveshje për të pasur qasje e përshtatshme në promemoriet e Comey-it”, është shprehur senatori demokrat, Mark Warner.

“Unë jam i kënaqur. Mendoj se është një informacion kritik, të cilin duhet ta kemi në dispozicion si pjesë e procesit tonë të shqyrtimit”, theksoi ai duke shtuar se pritet që këto shënime t’u dorëzohen “së shpejti”.

Ndërkaq, Warner nuk pranoi të jepte më shumë hollësi për progresin e hetimit apo një afat kohor se kur mund të përfundojë ai, por bëri me dije se po pret me padurim që të mësojë përshtypjet e Comey-it për bisedat e tij me kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe sidomos detajet e takimit të 14 shkurtit në Zyrën Ovale, lidhur me ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, që asokohe ishte ende pjesë e ekipit të Trump-it.

“Mund të më kalonte në mendje se do të shkonte kaq larg, por kurrë nuk do të kisha pritur që administrata të shkarkonte James Comey. Ju nuk mund ta bëni këtë gjë me zyrtarë kaq të lartë”, vijoi senatori demokrat.

Mark Warner tha gjithashtu se priste që dhëndri i Presidentit Trump dhe këshilltari i tij më i ngushtë, Jared Kushner, do të paraqitet para Komitetit të Inteligjencës së Senatit ashtu siç kishte premtuar, edhe pse kohët e fundit ka punësuar një avokat.

Shkarkimi i ish-numrit 1 të FBI-së, teksa ai po hetonte pretendimet rreth një ndërhyrjeje ruse në presidencialet amerikane të 8 nëntorit 2016, ndezi në opinion publik amerikan debatet mbi Rusinë dhe lidhjet e mundshme të saj me rrethin e ngushtë të Donald Trump-it.



Lajme të ngjashme