SHBA – Departamenti i Shtetit vë në dyshim motivet e Gjirit për bojkotin ndaj Katarit

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, deklaroi të martën se Uashingtoni është “i mistifikuar” për shkak se vendet e Gjirit nuk i kanë detajuar ende shqetësimet e tyre në lidhje me Katarin...

Aabd-dışişleri.jpg
Heather Nauert

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, deklaroi të martën se Uashingtoni është “i mistifikuar” për shkak se vendet e Gjirit nuk i kanë detajuar ende shqetësimet e tyre në lidhje me Katarin.

Në një konferencë shtypi të martën, Heather Nauert shprehu dyshim për motivet pas embargos së udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndaj Katarit, e cila ka penguar transportin detar e ajror drejt dhe nga shteti i vogël i Gjirit Persik që nga 5 qershori.

“Tani që kanë kaluar më shumë se dy javë që nga fillimi i bllokadës, ne jemi të mistifikuar që shtetet e Gjirit nuk e kanë informuar publikun dhe as qeverinë katarase mbi detajet rreth pretendimeve që ata po bëjnë ndaj Katarit. Sa më shumë kohë që po kalon, aq më shumë po shtohet ai dyshim rreth veprimeve të ndërmarra nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha ajo.

Në këtë pikë – vijoi zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit – na mbetet vetëm një pyetje e thjeshtë: A ishin këto veprime me të vërtetë një rezultat i shqetësimeve të tyre për mbështetjen e dyshuar të Katarit për terrorizmin apo kishin të bënin me mosmarrëveshjet e gjata mes vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC)?

Më vonë, ajo u shfaq sërish para kamerave për t'iu përgjigjur vetë kësaj pyetjeje.

“Ne e shohim këtë si tensione të gjata që kanë vazhduar për një kohë të gjatë dhe kjo është arsyeja pse ne besojmë se kjo mund të zgjidhet paqësisht midis palëve, pa pasur nevojë për angazhimin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Nauert.

“Ata mund ta bëjnë këtë vetë dhe ne jemi duke u kërkuar atyre që të lëvizin së bashku”, shtoi zëdhënësja e diplomacisë amerikane.

Deklarata e Heather Nauert duket se shfaq një qëndrim ndryshe nga komentet përgjithësisht mbështetëse të Presidentit Donald Trump lidhur me embargon. Në një postim në “Twitter” më 6 qershor, Trump mori përgjegjësinë për krizën diplomatike duke pohuar se Katari “historikisht ka qenë një financues i terrorizmit, madje dhe në një nivel shumë të lartë”; ndërkohë që sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, kërkoi më pas zbutjen e sanksioneve të aplikuara ndaj Katarit.

E pyetur nga gazetarët mbi këtë çështje, zëdhënësja Nauert mohoi se komentet e saj përfaqësonin një ndryshim në pozicionin e SHBA-së lidhur me krizën e Katarit ose që ato reflektonin ndonjë ndryshim midis pikëpamjeve të Presidentit Trump dhe atyre të Departamentit të Shtetit.

Pa humbur kohë, Katari u shpreh i kënaqur nga kjo deklaratë e zyrtares së diplomacisë amerikane.

Ambasadori Ahmed bin Saeed Al-Rumaihi, drejtor i Zyrës së Informacionit të Ministrisë katarase të Punëve të Jashtme, deklaroi se komentet e bëra nga zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, janë të mirëpritura nga Doha.

Saeed Al-Rumaihi përsëriti qëndrimin strategjik të Katarit në mbështetje të zgjidhjes së krizës përmes një dialogu të civilizuar, bazuar në themelet e shëndosha të bashkësisë ndërkombëtare.

Drejtori i Zyrës së Informacionit të Ministrisë katarase të Punëve të Jashtme shprehu gjithashtu mbështetjen e vendit të tij për ndërmjetësimin e udhëhequr nga Emir i Kuvajtit, Sheik Sabah al-Ahmed al-Jaber al-Sabah, për të zgjidhur krizën në kuadër të GCC-së.

Megjithatë, tani për tani, ngërçi diplomatik duket se do të vazhdojë. Katari thotë se nuk do të negociojë derisa embargoja të hiqet duke pretenduar se bllokada shkel të drejtat e qytetarëve të saj.

“Ky nuk është vetëm një rast i ndërprerjes së lidhjeve diplomatike”, tha kryetari i Komitetit për të Drejtat Kombëtare të Katarit, Ali bin Samikh al-Marri, duke folur në Parlamentin Evropian në Bruksel.

“Ajo që po ndodh nuk është bojkot, por një bllokadë e padrejtë dhe një ndëshkim kolektiv për qytetarët dhe banorët e Katarit”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Emiratet e Bashkuara Arabe paralajmërojnë se embargoja mund të vazhdojë për vite të tëra.



Lajme të ngjashme