Shefi i OKB: Shpëtoni oqeanet për të shmangur “katastrofën globale”

Takimi pesëditor është propozimi i parë nga Kombet e Bashkuara për të adresuar problemet më të vështira me oqeanet tona, nga zbardhja e koraleve dhe ndotja plastike deri te mbipeshkimi dhe rritja e nivelit të deteve për shkak të ndryshimeve klimatike...

Shefi i OKB: Shpëtoni oqeanet për të shmangur “katastrofën globale”

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterresh (Antonio Guterres), në hapje të Konferencës I Botërore të Oqeanit, u bëri thirrje vendeve që të lënë mënjanë përfitimin kombëtar për të shpëtuar oqeanet dhe për të shmangur një “katastrofë globale”.

“Ne duhet të heqim dorë nga përfitimet kombëtare afatshkurtra për të parandaluar katastrofën globale afatgjatë”, tha Guterresh në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Ruajtja e oqeaneve dhe përdorimi i tyre në mënyrë të qëndrueshme është ruajtja e vetë jetës”, shtoi ai.

Guterresh ngriti alarm për gjendjen e oqeaneve të botës duke thënë se ndotja, mbipeshkimi dhe ndryshimet klimatike po shkaktojnë dëme të rënda dhe se “situata po përkeqësohet”.

“Një studim i kohëve të fundit tregoi se plastika mund të peshojë më shumë sesa peshqit në det deri në vitin 2050, nëse asgjë nuk bëhet”, theksoi shefi i OKB-së duke tërhequr vëmendjen se rritja e nivelit të deteve kërcënon të tëra vendet, peshkimi është prekur rëndë dhe ekosistemet bregdetare janë në nivele të paqëndrueshme të stresit nga industria, peshkimi, minierat, transporti dhe turizmi.

Sipas tij, hapi i parë për t’u rikthyer në binarë është “t’i jepet fund ndarjes artificiale midis kërkesave ekonomike dhe shëndetit të deteve tona; pasi ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i resurseve detare janë dy anët e së njëjtës monedhe”.

Antonio Guterresh bëri thirrje për hapa konkrete si zgjerimi i zonave të mbrojtura detare, menaxhimi i peshkimit, reduktimi i ndotjes dhe pastrimi i mbetjeve plastike.

Ndërsa presidenti i Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së, Pitër Tomsën (Peter Thomson), shpjegoi se tani është koha për të ndrequr rrugën e gabuar, që po ndiqet në lidhje me ndotjen e oqeaneve.

“Kemi çliruar mbi oqeane një gjëmë plastike, e cila është duke e ndotur natyrën në mënyra shumë tragjike”, theksoi Pitër Tomsën.

Presidenti i Bolivisë, Evo Morales dhe shumë folës të tjerë në Konferencën I Botërore të Oqeanit kritikuan ashpër Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Danëlld Tramp (Donald Trump), që javën e kaluar vendosi të tërheqë vendin e tij nga Marrëveshja e Parisit për Klimën (2015).

Shtetet anëtare të OKB-së po punojnë për një “thirrje për veprim” nga qeveritë, shoqëria civile dhe bizneset që angazhohen për të ndërmarrë hapa për të pastruar oqeanet dhe për të ruajtur atë që është ndoshta burimi më i rëndësishëm i Tokës.

Objektivat përfshijnë mbrojtjen e të paktën 10 për qind të mjediseve bregdetare dhe detare deri në vitin 2020, reduktimin e ndotjes së oqeaneve dhe forcimin e mënyrave për të luftuar peshkimin e paligjshëm, e paraportuar dhe e parregulluar.

Turqia merr pjesë në këtë takim me zyrtarë të lartë nga Ministria e Mjedisit dhe Urbanistikës, si dhe Ministria e Transportit, Detarisë dhe Komunikacionit.



Lajme të ngjashme