Shefi i OKB-së do të takohet me liderët e Qipros në Nju-Jork

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ndërhyrë në nivelin më të lartë ndaj negociatave në Qipro, të cilat duket se janë bllokuar...

Shefi i OKB-së do të takohet me liderët e Qipros në Nju-Jork

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ndërhyrë në nivelin më të lartë ndaj negociatave në Qipro, të cilat duket se janë bllokuar.

“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterresh (Antonio Guterres), do të zhvillojë një takim me liderët e dy komuniteteve të Qipros së ndarë në selinë e OKB-së në Nju-Jork, më datë 4 qershor”, deklaroi të mërkurën zëdhënësi i Presidencës së Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Barësh Burxhu (Barış Burcu).

Barësh Burxhu njoftoi përmes një komunikate me shkrim se shefi i OKB-së kishte realizuar një bisedë telefonike me Presidentin e RTQV-së, Mustafa Akënxhë (Mustafa Akinci) duke e ftuar atë në Nju-Jork për një takim me liderin grekoqipriot, Nikos Anastasiadhis (Nicos Anastasiades).

“Presidenti ynë iu përgjigj pozitivisht ftesës dhe i tha kreut të OKB-së se ai do të merrte pjesë në takim”, shtoi zëdhënësi Burxhu.

Siç mësohet nga burime pranë OKB-së, ftesës së sekretarit Guterresh i ka thënë “po” edhe udhëheqësi i pjesës greke të Qipros.

Bisedimet e ribashkimit të ishullit të ndarë pritet të dominojnë takimin e 4 qershorit, pasi iniciativat e fundit të OKB-së nuk kanë prodhuar rezultat.

Ishulli në Mesdheut Lindor është ndarë që nga viti 1974, kur një puç ushtarak grek u ndoq nga dhuna kundër turqve të Qipros dhe ndërhyrja e Ankarasë si fuqi garantuese.

Liderët e dy komuniteteve të këtij ishulli, Mustafa Akënxhë dhe Nikos Anastasiadhis, janë përfshirë në bisedime intensive që nga maji i vitit 2015, me qëllim ribashkimin e Qipros për të krijuar një shtet federal.

Akënxhë dhe Anastasiadhis u takuan disa herë në Gjenevë vitin e kaluar, por takimi i tyre i fundit në shkurt të këtij viti u minua nga polemika mbi një vendim grekoqipriot për evokimin e referendumit Enosis të vitit 1950 për bashkimin e Qipros me Greqinë.

Paqartësia në lidhje me negociatat për zgjidhjen e problemit qipriot u bë edhe më e theksuar pasi Anastasiadhis parashtroi disa kushte paraprake për vazhdimin e procesit të Gjenevës.

Të dyja palët e Qipros kishin rënë dakord mbi shumicën e çështjeve në marrëveshjen e ribashkimit, por pikat e fërkimit, përfshi këtu një sistem sigurie dhe garancie, mbeten të pazgjidhura.

Vazhdimësinë e negociatave nuk e siguroi dot as diplomacia ecejake 9-ditore e këshilltarit special të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Espën Barth Ajdë (Espen Bart Eide) duke bërë që ky i fundit të njoftonte tërheqjen nga misioni i ndërmjetësuesit.



Lajme të ngjashme