Juncker paralajmëron Trump kundër daljes nga Marrëveshja e Parisit për Klimën

Kreu i Komisionit Evropian,Jean-Claude Juncker, paralajmëroi të mërkurën Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kundër tërheqjes së vendit të tij nga Marrëveshja e Parisit për Klimën...

Juncker paralajmëron Trump kundër daljes nga Marrëveshja e Parisit për Klimën

Presidenti i Komisionit Evropian, Zhon-Klod Junker (Jean-Claude Juncker), paralajmëroi të mërkurën Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Danëlld Tramp (Donald Trump), kundër tërheqjes së vendit të tij nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

“Nëse gjatë orëve apo ditëve në vazhdim presidenti amerikan do të tërhiqet nga marrëveshja, atëherë është detyra e Evropës të thotë: Nuk funksionon kështu. Nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhmen e qytetareve evropianë, por për popujt në të gjithë botën”, theksoi Junker gjatë një konference për shtyp në Berlin.

Ai tha se tërheqja e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën nuk është një proces aq i thjeshtë dhe se do të duheshin 3-4 vjet për çdo palë që ta lërë marrëveshjen dhe të shpëtojë nga detyrimet, që rrjedhin nga nënshkrimi i saj.

“Ligji është ligj dhe secili duhet të veprojë në përputhje me të. Jo çdo gjë, që është ligj ose që është shkruar në traktatet ndërkombëtare, është një lajm i rremë”, siguroi presidenti i Komisionit Evropian.

Aktorët evropianë – vijoi Junker – u përpoqën t’i shpjegonin Presidentit Tramp rëndësinë e Marrëveshjes së Parisit për Klimën gjatë samitit të fundit të G7-s në Itali, por duket se përpjekjet tona kanë dështuar.

Junker po ashtu tërhoqi vëmendjen mbi rreziqet e ndryshimeve klimatike.

“Në rast se ne s’luftojmë dot me vendosmëri kundër ndryshimeve klimatike, atëherë 83 vende rrezikojnë të zhduken nga faqja e dheut”, komentoi ai.

Ndërkaq, drejtuesit e lartë të kompanive më të fuqishme amerikane si “3M”, “Morgan Stanley”, “JPMorgan Chase”, “Procter & Gamble”, “General Electric”, “Johnson & Johnson”, “The Dow Chemical Company”, “Tesla”, “Citigroup” dhe “The Disney Company”, iu drejtuan kreut të Shtëpisë së Bardhë përmes një reklame të transmetuar në kanalet televizive të SHBA-së dhe në “Youtube”.

“Shpalosim mbështetjen tonë të fuqishme që SHBA-ja të mos tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën. Presidenti Tramp, qëndro në Paris dhe negocio marrëveshje më të mira për të krijuar vende të reja pune”, thuhet në këtë reklamë.

Organet mediatike amerikane raportuan të mërkurën se Danëlld Trampi kishte nisur përgatitjet për të tërhequr zyrtarisht SHBA-në nga marrëveshja në fjalë.

“Unë do të njoftoj vendimin tim për Marrëveshjen e Parisit gjatë ditëve të ardhshme. Të bëjmë Amerikën përsëri të madhe!”, deklaroi Presidenti Tramp ditën e mërkurë nëpërmjet rrjetit social “Twitter.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, lideri amerikan e kishte quajtur ngrohjen globale një “mashtrim” dhe kishte premtuar se do të rriste sërish punësimin në industrinë e qymyrit, e cila është shpesh një objektiv i lehtë për sulmet kritike të ambientalistëve.

Marrëveshja e Parisit për Klimën, ndërmjetësuar nga ish-presidenti Barak Obama (Barack Obama) dhe nënshkruar në selinë e OKB-së në Nju-Jork, në prill 2016, nga mbi 190 shtete, synon të luftojë ndryshimet klimatike duke reduktuar dyoksidin e karbonit, emetimet e tjera nga karburantet fosile dhe kufizuar rritjen globale të temperaturës nën 2o celsius.

Palë nënshkruese e kësaj marrëveshjeje të miratuar në Konferencën e Parisit për Ndryshimet Klimatike (COP21), Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë angazhuar të reduktojnë 26-28 për qind të emetimeve deri në vitin 2025.

Vlen të rikujtojmë se SHBA-ja është emetuesi i dytë më i madh në botë i dyoksidit të karbonit, menjëherë pas Kinës.



Lajme të ngjashme