Siri – Raketat ruse godasin objektivat e DAESH-it pranë Palmirës

Rusia ka goditur me sukses nga Mesdheu objektivat e DAESH-it në Palmirë të Sirisë, bëri të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një komunikate me shkrim të mërkurën...

743260
Siri – Raketat ruse godasin objektivat e DAESH-it pranë Palmirës

Rusia ka goditur me sukses nga Mesdheu objektivat e DAESH-it në Palmirë të Sirisë.

Siç bën të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një komunikate me shkrim të mërkurën, Forcat Detare kanë lëshuar nga një nëndetëse dhe një fregatë, e cila shoqëron aeroplanmbajtësen “Admiral Kuznetsov”, e dislokuar në detin Mesdhe, disa raketa me rreze të gjatë veprimi kundër zonave strategjike të organizatës terroriste DAESH pranë Palmirës, në Siri.

“Rusia ka kryer katër sulme me raketa ‘Kalibr’ kundër organizatës terroriste DAESH në rajonin e Palmirës. Shënjestrat ishin vendstrehime, ku ndodhej material i rëndë dhe një grumbullim i luftëtarëve të ridislokuar nga Raka”, bëhet e ditur në këtë komunikatë.

“Të gjitha objektivat u goditën me sukses”, shtoi Ministria ruse e Mbrojtjes duke saktësuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe Izraeli ishin informuar më parë për këto sulme, të cilat do të kryheshin nga fregata “Admiral Essen” dhe nëndetësja “Krasnodar”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, sqaroi për agjencitë ruse të lajmeve që Presidenti Vladimir Putin ishte informuar nga ministri i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, për një seri sulmesh me raketa me rreze të gjatë veprimi “Kalibr” nga ujërat e Mesdheut kundër zonave strategjike të DAESH-it në territorin sirian.

Peskov nënvizoi gjithashtu se operacioni është kryer mbrëmjen e së martës.



Lajme të ngjashme