Itali – Samiti i G7-s përfundon pa marrëveshje me SHBA-në për çështjen e klimës

Liderët e G7-ës pranuan ditën e shtunë mungesën e kompromisit për një marrëveshje të mundshme me SHBA-në në luftën kundër ngrohjes klimatike, ndërkohë që gjetën konsensusin në lidhje luftën kundër terrorizmit...

Itali – Samiti i G7-s përfundon pa marrëveshje me SHBA-në për çështjen e klimës

Samiti i 43-të i G7-s, i cili mbledh kryetarët e shteteve/qeverive të 7 vendeve më të industrializuara të botës, u mbaj në qytezën Taormina, në ishullin italian të Sicilisë.

Liderët e G7-ës pranuan ditën e shtunë mungesën e kompromisit për një marrëveshje të mundshme me SHBA-në në luftën kundër ngrohjes klimatike, ndërkohë që gjetën konsensusin në lidhje luftën kundër terrorizmit.

“SHBA-ja është në proces rivlerësimi të politikës së saj në fushën e klimës, kurse të 6 shtetet e tjera të G7-s rikonfirmojnë angazhimin e tyre në favor të Marrëveshjes së Parisit për Klimën”, pohoi një përfaqësues i delegacionit francez.

Vazhdimi i angazhimit të Uashingtonit ndaj Marrëveshjes së Parisit për Klimën mbetet ende një çështje e paqartë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, theksoi përmes një postimi nga media sociale se javën e ardhshme do të marrë vendimin e tij përfundimtar në lidhje me këtë marrëveshje.

Nga ana tjetër, liderët e 7 vendeve më të industrializuara të botës u pajtuan jo vetëm për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme si Siria, Libia dhe Koreja e Veriut, por njëherësh edhe për të thelluar marrëdhëniet e tyre me Afrikën.

Në samit u regjistrua progres i pjesshëm gjithashtu në lidhje me problemin e emigracionit dhe tregtinë e lirë.

Megjithatë klima dhe tregtia ndërkombëtare përbëjnë dy shtyllat kryesore të qasjeve të kundërta mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të saj të G7-s (Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Kanada, Itali, Japoni).

Ndërkaq, vendet e G7-s janë shprehur të gatshme për të marrë sanksione shtesë kundër Rusisë duke vënë theksin tek përgjegjësia e saj në konfliktin ukrainas, sipas deklaratës përfundimtare të samitit.

“Sanksionet do të hiqen në momentin që Rusia do të përmbushë angazhimet e saj. Gjithsesi, jemi të gatshëm për të marrë masa kufizuese shtesë kundër Rusisë nëse do të jetë e nevojshme”, thuhet me tone të ashpra në këtë deklaratë.

Moska u pezullua nga G8-a pas aneksimit të Krimesë në 2014, me miratimin e sanksioneve ekonomike për përfshirje të Rusisë në konfliktin në lindje të Ukrainës, që shënoi më shumë se 10.000 të vdekur në tre vite. Ndërsa Moska përgënjeshtron se ka mbështetur separatistët prorusë, që luftojnë trupat ukrainase.



Lajme të ngjashme