Ushtria amerikane dështon në gjurmimin e armëve të destinuara për ushtrinë irakiane

Sipas një kontrolli të vitit 2016 nga inspektori i përgjithshëm i Pentagonit, ushtria e SHBA-së s'ka informacione të sakta mbi regjistrimin dhe lokacionin e pajisjeve dhe armëve me vlerë mbi 1 miliard dollarë, të destinuara për ushtrinë e Irakut...

Ushtria amerikane dështon në gjurmimin e armëve të destinuara për ushtrinë irakiane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur gjurmët e armëve, që i kanë dhënë Irakut.

Ushtria e SHBA-së nuk ka informacione të sakta mbi regjistrimin dhe lokacionin e pajisjeve ushtarake dhe armëve me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë, të destinuara për ushtrinë irakiane në kuadër të programit stërvit-pajis, sipas një kontrolli të vitit 2016 nga inspektori i përgjithshëm i Pentagonit.

Fshehtësia e raportit të titulluar “Ushtria s’ka bërë kontrolle efektive për të përcaktuar numrin dhe vendin e pajisjeve të Fondit Stërvit-Pajis për Irakun”, publikuar në shtator 2016 me shënimin “vetëm për përdorim zyrtar”, është hequr dhe bërë publik të mërkurën përmes një kërkese të Organizatës Ndërkombëtare të Amnistisë (Amnesty International - AI) për lirinë e informimit.

“Brigada 1. e Mbështetjes Rajonale të Forcave Tokësore, e cila shërben si një shtab logjistik, nuk ka të dhëna të sakta dhe të azhurnuara mbi sasinë dhe vendndodhjen e pajisjeve të marra për Kuvajtin dhe Irakun nga Fondi Stërvit-Pajis për Irakun”, theksohet në raportin e kryeinspektorit të Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Armët dhe pajisjet në fjalë ishin të destinuara për forcat e qeverisë së Irakut në mbështetje të luftës së saj kundër DAESH-it, si pjesë e një fondi prej 1,6 miliardë dollarësh nga buxheti i mbrojtjes, miratuar nga Kongresi amerikan në vitin 2015.

Ndërsa vitin e kaluar, për të njëjtin fond ishin akorduar 715 milionë dollarë.

Sipas raportit në fjalë, shkaku i pasaktësive në gjurmimin e armëve të ushtrisë amerikane është regjistrimi armëve dhe pajisjeve të dhëna Irakut në dokumente të mbushura me shkrim dore, në vend të një sistemi qendror të automatizuar.

“Kjo është një pasqyrë shqetësuese në sistemin e metë të ushtrisë së SHBA-së dhe potencialisht e rrezikshme për kontrollin e transferimeve të armëve me vlerë miliarda dollarë në një rajon jashtëzakonisht të paqëndrueshëm, ku operojnë jo vetëm grupe radikale me baza sektare, por edhe shumë organizata terroriste”, nënvizohet mes të tjerash në raportin e inspektorit të përgjithshëm të Pentagonit.

Petrik Uilkën (Patrick Wilcken), hulumtues i Organizatës Ndërkombëtare të Amnistisë, deklaroi se ky raport ngre në rend të ditës sërish historinë e gjatë të rrjedhjes së armëve të SHBA-së në grupe të shumta të armatosura, të cilat kryejnë mizori në Irak, përfshi këtu edhe organizatën terroriste DAESH.



Lajme të ngjashme