Stoltenberg: S’ka kërkesë për rol luftarak të NATO-s në koalicionin global kundër DAESH-it

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltënberg (Jens Stoltenberg), deklaroi të mërkurën se nuk është paraqitur një kërkesë që Aleanca të marrë rol luftarak pranë koalicionit global kundër DAESH-it...

738612
Stoltenberg: S’ka kërkesë për rol luftarak të NATO-s në koalicionin global kundër DAESH-it

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltënberg (Jens Stoltenberg), deklaroi të mërkurën se nuk është paraqitur një kërkesë që Aleanca të marrë rol luftarak pranë koalicionit global kundër DAESH-it.

Jens Stoltënberg organizoi një konferencë shtypi në lidhje me agjendën e mbledhjes së kryetarëve të shteteve/qeverive të NATO-s, e cila do të mbahet të enjten (25.05.2017) në Bruksel, ku Turqia do të përfaqësohet nga Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).

“Nëse do të marrim parasysh ato çfarë Aleanca ka bërë në Afganistan, atëherë shohim që NATO-ja i ka dhënë fund rolit të saj luftarak në këtë vend. Tashmë s’kemi më kontingjent luftarak në Afganistan. Është e vërtetë që kemi ende 13 mijë trupa në Afganistan, por ata merren vetëm me trajnim, konsultim dhe logjistikë”, komentoi ai duke tërhequr vëmendjen mbi rolin luftarak të NATO-s në të kaluarën.

Më tej, Stoltënberg rikujtoi se në shënjestër të terroristëve këtë javë ishte qyteti Mançester i Britanisë së Madhe.

“Ky sulm barbar shënjestroi qëllimisht fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre. Mbledhja jonë do të demonstrojë se të gjithë aleatët e NATO-s vazhdojnë të jenë të bashkuar në luftën kundër terrorizmit të çdo lloji”, theksoi kreu i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior duke shtuar se lufta antiterrorizëm është një sfidë komplekse.

“Lufta kundër terrorizmit kërkon një përgjigje të koordinuar të përmbaruesve ligjorë, të shërbimeve informative, të sistemit gjyqësor dhe ndonjëherë të njësive tona ushtarake. Rrjedhimisht, e rëndësishme është që të përdorim plotësisht të gjitha instrumentet që zotërojmë”, vlerësoi ai.

Duke sqaruar se mbledhja e të enjtes është me rëndësi madhore edhe pse nuk do të zgjasë shumë, shefi i NATO-s vuri në pah se aty do të takohen të gjithë liderët e 28 vendeve aleate për të transmetuar një mesazh të fuqishëm uniteti dhe solidariteti.

Stoltënberg bëri me dije gjithashtu se njëra prej dy çështjeve kryesore, të cilat do të trajtohen të enjten në Bruksel, është rritja e kontributit të Aleancës në luftën kundër terrorizmit; ndërkohë që nënvizoi se trajnimit dhe stërvitja e forcave lokale është një nga instrumentet më efikase në duart e NATO-s për t’u ballafaquar me arsyet themelore të terrorizmit.

“Ndërsa çështja tjetër kryesore është ndarja e peshës. Kjo nënkupton përmbushjen e premtimeve, të cilat ne të gjithë i kemi dhënë në vitin 2014”, përfundoi ai.



Lajme të ngjashme