Bruksel - Zoran Zaev ftohet në darkën e kryeministrave

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, ndonëse është vetëm mandatar për formimin e Qeverisë së Maqedonisë, do të jetë i pranishëm në darkën e nesërme joformale të kryeministrave.

Bruksel - Zoran Zaev ftohet në darkën e kryeministrave

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, ndonëse është vetëm mandatar për formimin e Qeverisë së Maqedonisë, do të jetë i pranishëm në darkën e nesërme joformale të kryeministrave të shteteve të Ballkanit, që në Bruksel do ta organizojë Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve MIA, nga kabineti i Mogerinit në kuadër të Shërbimit evropian për punë të jashtme (EEAS), thuhet se ftesa për Zaevin është dërguar në cilësi të "përcaktuar për kryeministër", që do të thotë se lideri i LSDM-së, edhe pse ende nuk është votuar në Kuvend për kryetar të ri të Qeverisë së Maqedonisë, nesër në Bruksel do të prezantohet si i tillë.

Krahas kryeministrave të Shqipërisë, Edi Rama, të Kosovës Isa Mustafa, të Serbisë Aleksandar Vuçiq, të Malit të Zi Dushko Markoviq dhe të Bosnjë e Hercegovinës Deniz Zvizdiq, Zoran Zaev do ta prezantojë Republikën e Maqedonisë në darkën e nesërme joformale që do të mbahet në ndërtesën e EEAS në Bruksel.

Sipas informacioneve nga kabineti i Mogerinit, pas darkës së saj dhe kryeministrave të pesë shteteve të Ballkanit, plus Zoran Zaev nga Maqedonia, Shërbimi evropian për punë të jashtme do të dalë me një kumtesë në të cilën do të sqarojë cili ishte qëllimi i darkës dhe çfarë është biseduar në të.



Lajme të ngjashme