Anglia rrit nivelin e kërcënimit terrorist në vend

Kryeministrja britanike, Theresa May njoftoi se niveli i kërcënimit terrorist në vend është ngritur në nivelin "kritik", që është niveli më i lartë.

Anglia rrit nivelin e kërcënimit terrorist në vend
Sulmi në Manchester: Shumica e të vrarëve ishin fëmijë, ndërsa gjendja e të plagosurve është e rëndë
Sulmi në Manchester: Shumica e të vrarëve ishin fëmijë, ndërsa gjendja e të plagosurve është e rëndë

Si pasojë e sulmit terrorist që ndodhi mbrëmë në qendrën më të madhe të koncerteve në Manchester të Anglisë, ‘Manchester Arena’ u vranë 22 persona ndër të cilët shumica ishin fëmijë si dhe u plagosën mbi 50 të tjerë.

Pasi drejtoi mbledhjen urgjente të kabinetit me pjesëmarrjen e burokracisë së sigurisë, e dyta pas sulmit terrorist në Mançester (Manchester), May iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Kryeministrja May tha se forcat e sigurisë dhe njësitë e shërbimit informativ vazhdojnë hetimet e tyre për të përcaktuar nëse agresori ka vepruar në mënyrë individuale, apo ka qenë pjesë e një rrjeti terrorist.

"Ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë mbi praninë e një grupi më të madh njerëzish të lidhur me sulmin",- shtoi ajo.

“Duke u mbështetur në informacionet që disponon Qendra e Përbashkët e Analizës së Terrorit, një njësi e pavarur përgjegjëse për përcaktimin e nivelit të kërcënimit terrorist në vend, ka vlerësuar ngritjen e nivelit të kërcënimit. Duke u mbështetur në hetimet e sotme është vendosur që niveli i kërcënimit në vend të ngrihet nga" serioz "në" kritik", që do të thotë se një sulm mund të ndodhë në çdo çast, pra nuk kemi të bëjmë vetëm me një probabilitet të lartë”,- deklaroi May.

“Rritja e nivelit të kërcënimit të terrorizmit do të sigurojë burime të reja dhe mbështetje për policinë, njoftoi kryeministrja britanike duke shtuar se policia i ka kërkuar kompetencë Ministrisë së Mbrojtjes për të angazhuar personel ushtarak të armatosur dhe ministria e ka miratuar këtë kërkesë të policisë. Policisë dhe forcave të sigurisë ne do t’u sigurojmë çfarëdolloj mundësie dhe mbështetjeje për kryerjen e detyrave që kanë për sigurisë publike”, sqaroi May.

Niveli "kritik" është më i larti në shkallën e niveleve të kërcënimit terrorist në Mbretërinë e Bashkuar.

Në sulmin me bombë që ndodhi në fund të koncertit të këngëtares amerikane Ariana Grande në sallën e koncerteve “Manchester Arena” kishin humbur jetën 22 vetë, shumica fëmijë dhe ishin plagosur 59 të tjerë. 

Policia njoftoi se sulmuesi 22-vjeçar, emri i të cilit u shpall si Salman Abedi, kishte vdekur gjatë shpërthimit.

Ndërkohë përgjegjësinë e sulmit e kishte marrë përsipër organizata terroriste DAESH.

Përmes një komunikate DAESH-i kishte njoftuar se sulmi në “Manchester Arena” ishte kryer me një mjet shpërthyes.

Kurse shërbimi sekret amerikan njoftoi se ata nuk kishin arritur të krijonin lidhje midis DAESH dhe sulmit në Mançester.



Lajme të ngjashme