Koreja e Veriut letër 192 shteteve të OKB-së, kërkon rishikimin e sanksioneve “pa bazë ligjore”

Koreja e Veriut u dërgoi nga një letër përfaqësive të 192 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara duke u kërkuar që “të rishikojnë zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së derisa të qartësohet nëse sanksionet kanë apo jo bazë ligjore...

Koreja e Veriut letër 192 shteteve të OKB-së, kërkon rishikimin e sanksioneve “pa bazë ligjore”

Koreja e Veriut u dërgoi nga një letër përfaqësive të 192 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara duke u kërkuar që “të rishikojnë zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara derisa të qartësohet nëse sanksionet kanë apo jo bazë ligjore”.

Misioni koreanoverior në OKB u kërkoi vendeve anëtare të OKB-së që të mos zbatojnë sanksionet e miratuara nga Këshilli i Sigurimit kundër Phenianit për shkak të programit bërthamor të tij dhe testimit të raketave balistike.

Koreja Veriore dënoi “çmendurinë histerike” të Uashingtonit në OKB dhe kërkoi që një forum ndërkombëtar me ekspertë ndërkombëtarë të ngrihet nga OKB-ja për të hetuar bazat ligjore të rezolutës sanksionuese.

Deklaratat në fjalë të Phenianit erdhën pas një sërë takimesh të komisionit të sanksioneve të OKB-së për të bindur vendet anëtare që të aplikojnë dy seritë e sanksioneve të miratuara nga Këshilli i Sigurimit vitin e kaluar.

“Koreja e Veriut akuzoi SHBA-në për tejkalim të të gjitha procedurave për të nxitur të gjitha vendet e tjera që të zbatojnë sanksionet duke i frikësuar dhe kërcënuar ato haptazi me masa detyruese të rënda”, vijon komunikata.

Rezoluta e parë sanksionuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Korenë Veriore është miratuar në vitin 2006. Këto masa u shtuan pasi Pheniani nuk hoqi dorë nga testimi i raketave bërthamore duke lëshuar edhe dy të tjera me rreze të gjatë veprimi.

Administrata amerikane e Presidentit Donald Trump, e cila kërkon që Pheniani të heqë dorë nga programi bërthamor i tij duke marrë edhe mbështetjen e Kinës, vend ky që kohëve të fundit ka bërë kritika të ashpra në adresë së Koresë së Veriut për programin nuklear, ka rritur ndjeshëm presionin për zbatimin e më shumë sanksioneve kundër këtij vendi.



Lajme të ngjashme