Bashkimi Evropian miraton liberalizimin e vizave për qytetarët ukrainas

Komisioni i Bashkimit Evropian i hapi dritën jeshile të enjten hyrjes pa viza për shtetasit ukrainas në territorin e tij, për qëndrime më pak se tre muaj, një zhvillim i shumëpritur në Ukrainë...

Bashkimi Evropian miraton liberalizimin e vizave për qytetarët ukrainas

Komisioni i Bashkimit Evropian i hapi dritën jeshile të enjten hyrjes pa viza për shtetasit ukrainas në territorin e tij, për qëndrime më pak se tre muaj, një zhvillim i shumëpritur në Ukrainë.

Kjo masë pritet të hyjë në fuqi së shpejti, sapo vendimi të nënshkruhet formalisht nga Këshilli Evropian, që përfaqëson 28 shtetet anëtare të BE-së dhe Parlamentin e tij.

Shtetasit ukrainas, që zotërojnë një pasaportë biometrike, kanë të drejtë të udhëtojnë në një shtet të Unionit për një periudhë maksimalisht 90 ditë për biznes, për turizëm apo për të vizituar familjen ose miqtë e tyre.

Ata nuk kanë të drejtën për punësim.

Liberalizimi i vizave për shtetasit ukrainas zbatohet për hapësirën Schengen, e cila përfshin të gjitha vendet e BE-së me përjashtim të Britanisë së Madhe, Irlandës, Islandës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Zvicrës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maltës, Carmelo Abela, vendi i të cilit mban edhe presidencën e radhës së BE-së, theksoi në një dalje publike se ky vendim u mor pas jetësimit nga Kievi zyrtar i reformave në fusha si emigracioni, rendi publik, siguria, marrëdhëniet e jashtme dhe të drejtat themelore.

Ndërsa komisioneri evropian për Emigracionin, Punët e Brendshme dhe Nënshtetësinë, Dimitris Avramopoulos, u shpreh i kënaqur nga ky vendim duke pohuar se “Ukraina përshkoi një rrugë të gjatë dhe sot u shpërblye”.



Lajme të ngjashme