SHBA-ja dënon ashpër dhunën në Parlamentin e Maqedonisë

Departamenti amerikan i Shtetit dënoi ashpër dhunën e të enjtes në Parlamentin maqedonas, pas hyrjes së rreth 100 manifestuesve brenda ndërtesës duke shkaktuar dhjetëra të plagosur...

SHBA-ja dënon ashpër dhunën në Parlamentin e Maqedonisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan ashpër dhunën e të enjtes në Parlamentin maqedonas, pas hyrjes së rreth 100 manifestuesve brenda ndërtesës duke shkaktuar dhjetëra të plagosur, sipas një komunikate të Departamentit amerikan të Shtetit.

“SHBA-ja dënon ashpër sulmet e dhunshme kundër anëtarëve të Parlamentit maqedonas, të cilat kanë vijuar pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryetar i Parlamentit”, theksoi diplomacia amerikane duke shtuar se do të punonte me Xhaferin për të mbështetur demokracinë dhe për të ndihmuar Maqedoninë të ecte përpara në rrugën evropiane.

“Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik”, theksoi Departamenti amerikan i Shetit.

“SHBA-ja u kërkon autoriteteve maqedonase të garantojnë sigurinë e të gjithë anëtarëve të Parlamentit dhe të kryejnë një hetim të plotë për këtë sulm dhe të bëjnë përgjegjës ata, që kanë kryer këtë akte dhune”, shtoi dikasteri diplomatik amerikan.

Lideri i opozitës së majtë dhe të paktën nëntë persona të tjerë u plagosën pas hyrjes së papritur të rreth 100 manifestuesve në Parlamentin e Maqedonisë për të protestuar kundër zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi.



Lajme të ngjashme