"The Guardian" - Luftëtarët e huaj largohen nga DAESH-i

Bëhet e ditur se luftëtarët e huaj të organizatës terroriste DAESH janë duke u arratisur në masë nga kjo organizatë dhe shumica e tyre dorëzohen në Turqi.

"The Guardian" - Luftëtarët e huaj largohen nga DAESH-i

Bëhet e ditur se luftëtarët e huaj të organizatës terroriste DAESH janë duke u arratisur në masë nga kjo organizatë dhe shumica e tyre dorëzohen në Turqi.

Gazeta angleze “The Guardian” në një lajm special shkruan se një numër i madh i luftëtarëve të huaj dhe simpatizantët nga radhët e DAESH-it largohen nga organizata dhe përpiqen për të hyrë në Turqi.

“Shumica prej tyre kapen gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin, mirëpo një numër i panjohur i luftëtarëve të huaj kanë hyrë në Turqi”, njofton gazeta ndërsa shton se në mesin e atyre që u dorëzuan në Turqi ndodhen edhe dy shtetas anglez dhe një amerikan.

Sipas lajmit shtetasi anglez Stefan Aristidou dhe bashkëshortja e tij nga veriu i Londrës dhe Kary Paul Kleman nga Florida e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë jetuar 2 vjet në zonat e kontrolluara nga DAESH-i dhe javën e kaluar u dorëzuan pranë policisë kufitare në Kilis të Turqisë.

Aristidou tha se në Siri nuk ka vajtur për të luftuar, por për të jetuar aty, ndërsa pranoi se ka jetuar në Rakka dhe Al Bab të kontrolluar nga DAESH-i. Ai në vitin 2015 udhëtoi për në Qipro ku edhe iu humbën gjurmët.

“The Guardian” bën të ditur se zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Anglisë deklaroi se janë në kontakt me autoritetet turke në lidhje me Aristidou, ndërsa shtoi se prokurorët turq kanë kërkuar prej 7 vite e gjysmë deri 15 vjet burgim për Aristidou dhe shtetasin amerikan Kleman.

Mirëpo në qoftë se Aristidou ekstradohet në Angli, ai sipas ligjit për luftë kundër terrorit në këtë vend do të mund të dënohet me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në organizata terroriste jashtë vendit dhe pjesëmarrje në luftime.

Ndërkaq shtetasi amerikan Kleman, i ndaluar në Turqi, pas shkurorëzimit nga bashkëshortja e parë e kishte pranuar fenë islame dhe ishte transferuar në Egjipt ku edhe u martua me një egjiptiane.

Pas shkurorëzimit ai transferohet në Dubai ku u martua me një shtetase siriane, e cila është aktualisht bashkëshortja e tij.

Sipas deklaratës së bërë nga familja e tij Kleman së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët kaloi në Siri me qëllim të punimeve humanitare, ndërkaq pas një kohe të shkurtë kuptoi se e tërë kjo ka qenë keqkuptim i informatave të gabuara dhe ka kontaktuar me autoritetet e ShBA-së në Turqi, prej të cilëve kërkoi ndihmë të kthehet në shtëpi.

Familja e tij para 1 viti e gjysmë i kishte thënë Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) se shqetësohen për atë dhe nga një zyrtar i FBI-së kërkuan të hetojnë se a është përzier në ndonjë vepër penale.

Guardian gjithashtu bën të ditur se burimet brenda DAESH-it njoftojnë se numri i luftëtarëve të huaj brenda organizatës është duke u zvogëluar me shpejtësi, ndërsa shtojnë se posaçërisht rajoni Tabka, që ndodhet në afërsi të Rakka-s që është fortesa e DAESH-it dhe ku jetojnë në mënyrë të ngjeshur luftëtarët e huaj, ndodhet nën presion të forcave të armatosura të përkrahura nga ShBA.

Gazeta njofton se zyrtarët evropian dhe ata turq bëjnë të ditur se lutëtarët e huaj të cilët iu bashkëngjitën DAESH-it prej vitit 2013 e këtej janë në kontakt me përfaqësitë diplomatike të vendeve të tyre dhe bëjnë plane për tu larguar nga Siria.

Sipas të dhënave të gazetës në fjalë prej vitit 2014 e deri në fund të vitit të kaluar në Evropë arritën të kthehen të paktën 250 luftëtarë të huaj të DAESH-it.

Ndërkohë që supozohet se në Siri kanë shkuar afërsisht 30 mijë të huaj për t’iu bashkëngjitë DAESH-it , Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të mendimit se 25 mijë prej tyre janë vrarë.



Lajme të ngjashme