Koreja e Veriut kërcënon ShBA-në

Koreja e Veriut kërcënoi se do ta fundosë avionmbajtësen amerikane të dislokuar në rajon.

Koreja e Veriut kërcënon ShBA-në

Pas pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrethinën e gadishullit korean, Koreja e Veriut kërcënoi se do ta fundosë avionmbajtësen amerikane të dislokuar në rajon.

Sipas një lajmi që transmeton BBC, në një koment analizë të publikuar në “Rodong Sinmum” që është organi mediatik zyrtarë i Partisë Punëtore në pushtet në Korenë e Veriut, thuhet se ushtria koreanoveriore është në gjendje për të fundosur me një goditje avionmbajtësen amerikane “USS Carl Vinson” së bashku me flotën e saj luftarake e cila është dislokuar në këtë rajon.

Në këtë artikull, ku shkruhet se goditja e avionmbajtëses amerikane është “një rast i mirë” për të dëshmuar fuqinë ushtarake të Koresë së Veriut, bëhet e ditur se “Forcat revolucionare janë të gatshme për të fundosur avionmbajtësen amerikane, e cila punon me energji bërthamore”.

Avionmbajtësja “USS Carl Vinson” që është në vartësi të komandës së ShBA-ve për rajonin e Paqësorit, ishte dërguar me urdhër të Presidentit Donald Trump si paralajmërim për Korenë e Veriut për ti dhënë fund iniciativave të saj bërthamore.     

Pritet që task forca e ShBA-së brenda javës të mbërrijë në afërsi të gadishullit korean.

Ndërkaq Kina hodhi hapa në drejtim të uljes së tensionimit në rajon. Udhëheqja e Pekinit bëri thirrje për vetëpërmbajtje.

Sipas një lajmi që zë vend në kanalin zyrtar televiziv të Kinës, Presidenti kinez Xi Jinping gjatë bisedës telefonike të bërë me Presidentin e ShBA-së, Donald Trump ka thënë se shpreson që të gjitha palët do të tregojnë gjakftohtësi dhe do ti shmangen përshkallëzimit të situatës.

Në lajm bëhet e ditur se Presidenti Xi Jinping gjithashtu bëri të ditur se është kundër programit nuklear të Koresë së Veriut.

Udhëheqja e Trump-it kishte paralajmëruar që në rast se Koreja e Veriut ndërmerr një testim tjetër bërthamorë atëherë ata do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë përfshirë edhe atë ushtarake.   



Lajme të ngjashme