Kazakistan – Reformohet alfabeti, ciriliku do të zëvendësohet nga ai latin

Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, vendosi të mërkurën linjat kryesore për një reformë, e cila parashikon të zëvendësojë deri në vitin 2025 alfabetin cirilik me alfabetin latin...

Kazakistan – Reformohet alfabeti, ciriliku do të zëvendësohet nga ai latin

Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, vendosi të mërkurën linjat kryesore për një reformë, e cila parashikon të zëvendësojë deri në vitin 2025 alfabetin cirilik me alfabetin latin, gjë që do të ndihmojë, sipas tij, në modernizimin e këtij vendi të Azisë Qendrore.

Në një artikull të publikuar nga gazeta qeveritare “Egemen Kazakhstan”, lideri 76-vjeçar i ka kërkuar qeverisë së tij të nisë punën parapërgatitore dhe të përgatisë kalendarin për këtë reformë.

Gjuha kazake, një dialekt turkofon, përdor një version të modifikuar të alfabetit cirilik me 42 shkronja.

“Duke nisur nga viti 2018, Kazakistani do të trajnojë specialistët për të mësuar alfabetin e ri dhe të prodhojë tekste shkollore për arsimin e mesëm. Kurse brenda 2 viteve në vijim duhet të përfundojnë organizimi dhe puna metodike”, shtoi Nursultan Nazarbayev.

Kalendari i reformës – theksoi ai – do të shtrihet deri në vitin 2025, vit kur Kazakistani do të kalojë përfundimisht në alfabetin latin; ndërkohë që në një etapë të parë alfabeti latin dhe ai cirilik mund të përdoren së bashku.

Më parë, alfabetin latin kanë filluar ta përdorin gjithashtu Azerbajxhani, Moldavia, Turkmenia dhe Uzbekistani, ish-anëtare të Bashkimit të Republikave Sovjetike Socialiste (BRSS). Në Uzbekistan, edhe pse zyrtarisht është kaluar në alfabetin latin, gjerësisht i përdorur është edhe ai cirilik.

Kurse në Kirgizi dhe Taxhikistan, gjithashtu ish-republika të BRSS-së, alfabeti cirilik vazhdon të përdoret ende zyrtarisht sot e kësaj dite.



Lajme të ngjashme