ShBA: Moska e paaftë në mbikëqyrjen e arsenalit kimik të Esadit

Ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov dhe qeverisë ruse do t’u kërkoj të respektojnë angazhimet e tyre kundrejt komunitetit ndërkombëtar, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson në një deklaratë dy ditë para vizitës në Moskë.

ShBA: Moska e paaftë në mbikëqyrjen e arsenalit kimik të Esadit

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u pyet të dielën, dy ditë para një vizite në kryeqytetin rus, në Moskë mbi qëllimet reale të Rusisë në Siri, ku ajo është treguar sipas tij e paaftë për të mbikëqyrur eliminimin e arsenalit kimik të presidentit sirian, Beshar Esad.

“Kjo do të bëjë pjesë në diskutimet që do të kemi kur të jem në Moskë këtë javë. Do t’i kërkoj ministrit të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov dhe qeverisë ruse të respektojnë angazhimet e tyre kundrejt komunitetit ndërkombëtar, kur kanë dhënë miratimin e tyre për të garantuar eliminimin e armëve kimike”, deklaroi Tillerson në një intervistë për stacionin televiziv ABC.

“Pse Rusia nuk është e aftë të përmbushë këtë mision, nuk është e qartë për mua. Nuk dua të dal në përfundimin që edhe ata janë bashkëpunëtorë, por ata janë në mënyrë të qartë të paaftë dhe ndoshta sirianët po luajnë me ata”,- shtoi ai.

Regjimi i Damaskut është akuzuar nga komuniteti ndërkombëtar për një sulm kimik që shkaktoi të paktën 87 të vdekur, dhjetëra prej të cilëve fëmijë në lokalitetin rebel të Han Shejkun.

“Si kundërpërgjigje, ShBA-ja ndërmori të premten një sulm ndëshkues me raketa Tomahawk kundër bazës ajrore, ku ishin nisur avionët që lëshuan armët kimike në Han Shejkun”, sipas Uashingtonit.

Kjo ka qenë ndërhyrja e parë e drejtpërdrejtë e Uashingtonit kundër regjimit sirian.

“Qartësisht, këta janë aleatët e Beshar Esadit”, theksoi Tillerson duke iu referuar rusëve.

“Ata duhet të kenë një influencë të madhe ndaj tyre dhe duhet t’i nxisnin të mos përdorin më armë kimike”,- shtoi ai.

Damasku ka hedhur poshtë të ketë kryer një sulm kimik dhe presidenti rus, Vladimir Putin e konsideroi kundërpërgjigjen amerikane si një agresion kundër një shteti sovran.

“Nuk mendoj se rusët kërkojnë degradim të marrëdhënieve me ShBA-në, por duhet të kemi më shumë diskutime dhe dialog për të kuptuar më mirë se çfarë marrëdhënie kërkon Rusia të ketë me ne”,- nënvizoi Tillerson.

Shpresoj që do të kemi diskutime konstruktive me qeverinë ruse dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Lavrov, që Rusia të mbështesë një proces që do të çojë në një Siri të qëndrueshme”,- shtoi ai.



Lajme të ngjashme