Tillerson: U sos durimi për Korenë e Veriut, s’përjashtojmë ndërhyrjen ushtarake

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, paralajmëroi se Koreja Veriore mund të përballet me një ndërhyrje ushtarake në rast se nuk ndërpret programin e saj bërthamor...

Tillerson: U sos durimi për Korenë e Veriut, s’përjashtojmë ndërhyrjen ushtarake

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ashpërsuar ndjeshëm tonet dhe qëndrimin e tyre ndaj Koresë së Veriut.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, paralajmëroi se Koreja Veriore mund të përballet me një ndërhyrje ushtarake në rast se nuk ndërpret programin e saj bërthamor.

Rex Tillerson komentoi me këto fjalë situatën e tensionuar në rajon nga Koreja e Jugut, ku po qëndron për një vizitë zyrtare.

“Strategjia e durimit dhe e lojës tërhiq e mos e këput e SHBA-së me Korenë e Veriut ka sosur! Jemi duke diskutuar masa të reja diplomatike, të sigurisë dhe ekonomike. Të gjitha opsionet janë në tryezë”, deklaroi sekretari Tillerson gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun koreanojugor, Yun Byung-Se.

“Ne sigurisht që nuk duam një degradim të situatës në konflikt të armatosur. Por nëse ata e çojnë kërcënimin e programit bërthamor në një pikë të atillë, e cila na shtyn të mendojmë për t’u hedhur në veprim ushtarakisht, atëherë në tryezë do të jetë edhe ky opsion”, shtoi kryediplomati amerikan.

Testimet e vazhdueshme bërthamore dhe ato të raketave me rreze të gjatë veprimi nga ana e Phenianit kanë përshkallëzuar tensionet në rajon dhe, për herë të parë pas shumë vitesh, një zyrtar i lartë i Uashingtonit nuk përjashton mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake.

Komentet e shefit të diplomacisë amerikane u bënë pak pasi ai vizitoi zonën e çmilitarizuar (DMZ) ndërkoreane.



Lajme të ngjashme