SHBA – Trump në Kongres: Do bashkëpunojmë me botën islame për të mposhtur DAESH-in

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi të martën se do të bashkëpunojnë me miqtë e tyre në botën islame për të mposhtur organizatën terroriste DAESH...

trump kongre.jpg
trump senate.jpg
trump kongre.jpg

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi të martën se do të bashkëpunojnë me miqtë e tyre në botën islame për të mposhtur organizatën terroriste DAESH.

Donald Trump mbajti për herë të parë një fjalim drejtuar Kongresit amerikan pas fillimit të mandatit të tij presidencial më 20 janar.

Në këtë fjalim përpara senatorëve, ministrave dhe disa anëtarëve të Gjykatës së Lartë, gjatë një seance të përbashkët të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, Trump vlerësoi një sërë kryefjalësh shumë aktuale duke filluar nga lufta kundër organizatës terroriste DAESH e deri te politikat ekonomike.

Duke tërhequr vëmendjen me shembuj konkretë nga sulmet terroriste të DAESH-it në SHBA dhe Evropë mbi vendosmërinë kundër kërcënimit të kësaj organizate terroriste, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se do të marrin çdo masë të nevojshme për të garantuar sigurinë e Amerikës dhe amerikanëve.

“Kemi për detyrë të bashkëpunojmë me të gjithë aleatët tanë, përfshi këtu edhe miqtë e aleatët tanë në botën islame, për të fshirë nga faqja e dheut këtë armik të poshtër (organizata terroriste DAESH)”, tha lideri amerikan duke nxjerrë në pah rritjen serioze, që administrata e tij parashikon në shpenzimet ushtarake.

“Siç edhe kam premtuar, udhëzova Departamentin e Mbrojtjes që të hartojë planin për të zhdukur DAESH-in, një ‘rrjet egërsirash të paligjshme’ që ka masakruar myslimanë e të krishterë, gra, burra dhe fëmijë pa dallim feje e besimi”, u shpreh ai.

Një tjetër synim i fjalimit të Trumpit ishte me siguri të bindë amerikanët për koherencën e prioriteteve të tij dhe veçanërisht për rritjen domethënëse të buxhetit ushtarak (+9 për qind, rreth 54 miliardë dollarë), tashmë i pari në botë.

“Ky do të jetë një buxhet për sigurinë kombëtare dhe atë publike”, njoftoi Presidenti Trump, i cili kërkon paralelisht të shkurtojë fondet për ministritë e tjera, veçanërisht për atë të Mjedisit.

“Ne shpenzojmë triliona dollarë në vende të tjera, ndërkohë që kemi gropa kudo në rrugët e autostradat tona dhe infrastruktura amerikane është drejt rrënimit”, theksoi ai.

I pyetur mbi vështirësitë për të harxhuar më shumë se 50 miliardë dollarë nga ekonomia për shpenzimet joushtarake, lideri amerikan konfirmoi se mbështet një rritje ekonomike më të fortë.

Lidhur me politikën e jashtme, Trump bëri thirrje për një angazhim më të madh dhe të drejtpërdrejtë me botën.

Kjo – tha ai – është një politikë e rolit udhëheqës amerikan në bazë të interesave jetike të sigurisë, që SHBA-ja ndan me aleatët.

“Ne mbështesim fuqimisht NATO-n, një aleancë e farkëtuar përmes lidhjeve gjatë dy luftërave botërore, të cilat rrëzuan fashizmin, si dhe Luftës së Ftohtë, e cila mposhti komunizmin. Por partnerët tanë duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare. Dhe tani, bazuar në diskutimet tona shumë të fuqishme dhe të sinqerta, ata kanë filluar të bëjnë pikërisht këtë”, nënvizoi presidenti amerikan.

Ai tha se pret që partnerët e SHBA-së, qoftë në NATO, në Lindjen e Mesme apo në Paqësor, të luajnë një rol të drejtpërdrejtë dhe kuptimplotë në operacionet strategjike e ushtarake, si dhe të paguajnë pjesën e tyre të shpenzimeve.

Trump theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të respektojnë të drejtat sovrane të popujve.

“Vendet e lira janë mjeti më i mirë për të shprehur vullnetin e popullit dhe Amerika respekton të drejtën e të gjitha vendeve që të përcaktojnë rrugën e tyre. Detyra ime nuk është të përfaqësoj botën. Detyra ime është të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai

Presidenti Trump tha se Amerika është më mirë kur në botë ka më pak konflikt dhe se duhet mësuar nga gabimet e së kaluarës.

“Ne kemi parë luftëra dhe shkatërrimet, që ato kanë sjellë në botë”, nënvizoi presidenti amerikan.

Më tej, kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri me dije se kanë vendosur sanksione të reja kundër individëve dhe institucioneve mbështetëse të programit raketor iranian, ndërkohë që potencoi se kanë rikonfirmuar edhe aleancën e patundshme të tyre me shtetin izraelit.

Ndërkaq, Donald Trump premtoi sërish se do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

“Muri do të fillojë të ndërtohet brenda një kohe të shkurtër dhe, kur të përfundojë, do të jetë një armë shumë e efektshme kundër drogave dhe krimit”, siguroi ai.

Pasi rikujtoi se ka bërë një sërë hapash në fushën e ekonomisë që prej ditës së parë në postin e kreut të Shtëpisë së Bardhë, Trump dha gjithashtu disa të dhëna të rëndësishme në lidhje me politika e brendshme, që do të zbatojnë gjatë periudhës në vijim.

“Do të reformojmë legjislacionin tatimor. Njëkohësisht do të vazhdoj qëndrimin tim këmbëngulës për shfuqizimin apo ndryshimin e reformës në shëndetësi, mbështetur fuqimisht nga ish-presidenti Obama, si dhe për revizionimin e legjislacionit të emigracionit”, njoftoi ai.

Në fund, Donald Trump bëri me dije se ka edhe disa plane të mëdha për kursime dhe për të ndihmuar të pastrehët.



Lajme të ngjashme