Irak – Zbulohet një varr masiv vetëm 8 km larg qendrës së Mosulit

Një varr masiv është zbuluar në afërsi të qytetit Mosul, ku ushtria irakiane ka përshpejtuar operacionet për ta çliruar atë plotësisht nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH...

680906
Irak – Zbulohet një varr masiv vetëm 8 km larg qendrës së Mosulit

Një varr masiv është zbuluar në afërsi të qytetit Mosul, ku ushtria irakiane ka përshpejtuar operacionet për ta çliruar atë plotësisht nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH.

Sipas pretendimeve, në këtë varr masiv mund të jenë groposur kufomat e rreth 4 mijë personave.

Varri masiv në fjalë, menjëherë jashtë rrugës interurbane Mosul-Bagdad dhe vetëm 8 km larg qendrës së Mosulit, ka shumë gjasa që të jetë ai më i madhi i shkaktuar nga terrori i DAESH-it në Irak.

Dëshmitarët okularë, që janë prononcuar për gazetën britanike “The Telegraph”, një nga të paktat që kanë mundur të futen në këtë zonë tashmë nën kontrollin e forcave irakiane të sigurisë, theksojnë se shumica e viktimave janë ekzekutuar dhe hedhur brenda gropës.

Gjithnjë sipas dëshmitarëve okularë, personat e masakruar nga DAESH-i i kanë pasur të lidhura jo vetëm duart, por edhe sytë, ndërkohë që në këtë zonë janë sjellë me minibusë, kamionë dhe mjete të tjera.

Mendohet që kjo masakër mund të jetë kryer andej nga fundi i vitit 2014.

Siç bën të ditur e përditshmja “The Telegraph”, organizata terroriste ka filluar ekzekutimin e policëve dhe ushtarëve të marrë peng rreth 6 muaj pas pushtimit të Mosulit.

Më datë 10 qershor 2014, DAESH-i vuri tërësisht nën kontroll qytetin irakian në fjalë.

Ushtria irakiane, forcat peshmerge të qeverisjes rajonale kurde në veri të Irakut dhe Garda e Ninevës, shumica e të cilëve janë trajnuar nga kontingjenti ushtarak turk në Kampin Bashika, filluan më datë 17 tetor 2016 operacionin e shumëpritur për çlirimin e Mosulit nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH.



Lajme të ngjashme