Turqia dënon sulmin terrorist në Pakistan (me video)
Të paktën 70 vetë u vranë dhe 150 u plagosën në një sulm vetëvrasës në një tyrbe të provincës Sind, në jug të Pakistanit.


Sipas informacioneve të marra nga burimet e sigurisë së provincës Sind, në mesin e atyre që humbën jetën nga shpërthimi që ndodhi në tyrben e Lal Shahbaz Kalandarit, një prej dijetarëve sufi në qytetin e Sehvan Sherifit, kishte edhe fëmijë dhe gra.
Shumica e të plagosurve janë në gjendje kritike për jetën.
Përgjegjësinë e sulmit e ka marrë përsipër organizata terroriste DAESH.
Kryeministri i Pakistanit, Navaz Sherif dhe ministri i Brendshëm, Çodri Nisar Ali Khan, e dënuan me forcë këtë sulm përmes deklaratave që kanë bërë.
Sulmin terrorist të kryer në tyrben e provincës Sind e ka dënuar me forcë edhe Turqia.
“E kemi mësuar me një keqardhje të madhe lajmin për vdekjen dhe plagosjen e shumë njerëzve në këtë sulm terrorist”, bën të ditur përmes një komunikate me shkrim Ministria e Punëve të Jashtme.
"E dënojmë fuqishëm këtë akt terrorist, që mori në shënjestër paqen dhe stabilitetin e Pakistanit. I lutemi zotit të mëshirojë viktimat, u urojmë shërim sa më të shpejtë të plagosurve dhe i përcjellim ngushëllimet tona qeverisë pakistaneze dhe popullit vëlla të Pakistanit", vijon komunikata.
“Turqia do të vazhdojë të mbështesë Pakistanin mik dhe vëlla në përpjekjen e vendosur kundër terrorizmit”, cilëson gjithashtu komunikata.
Lajme të ngjashme

Kenia do të blejë 118 transportues të blinduar “Hizir” nga Turqia
Ushtria e Kenias njoftoi të hënën se do të blejë 118 transportues të blinduar nga Turqia.
