Administrata Trump qartëson në Bon pikëpamjet e saj për botën

Në samitin e ministrave të Jashtëm të G20-ës, që do të zhvillohet në ish-kryeqytetin gjerman, Bon, Sekretari i ri i Departamentit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson do të shpalosë pikëpamjet e administratës së re amerikane për botën.

Administrata Trump qartëson në Bon pikëpamjet e saj për botën

Sekretari i ri i Departamentit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson do të bëjë sot debutimin në skenën botërore, si kryetar i delegacionit të administratës Trump, në samitin e ministrave të Jashtëm të G20-ës, që do të zhvillohet në ish-kryeqytetin gjerman, Bon.

I mikpritur nga ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, një tjetër i sapoemëruar në krye të diplomacisë gjermane, takimi i G20-ës në ish-ndërtesën e parlamentit gjerman, ka një sërë çështjesh për të diskutuar në agjendën e tij.

Moria e çështjeve me të cilat do të përballen ministrat e Jashtëm varion nga Rusia, Siria, Koreja e Veriut, Lindja e Mesme, Meksika,  Irani, Ukraina Lindore deri te ndryshimet klimatike dhe terrorizmi, sidomos ai i DAESH-it.

Ky takim do të shërbejë edhe si platformë për përballjen e parë mes Trumpit dhe Moskës, pasi është parashikuar edhe një takim kokë më kokë Tillerson-Lavrov.

Takimi i G20-ës është një ndër tre takimet më të rëndësishme në Evropë këtë javë, ku administrata amerikane pritet të qartësojë pikëpamjet e saj aktuale për botën.

Pritet që edhe zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence të shprehë pikëpamjet e Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë në konferencën vjetore të sigurisë që do të zhvillohet të premten në Mynih.



Lajme të ngjashme