Jemen – Rebelët huthi godasin me raketë një bazë ushtarake saudite në Riad

Rebelët antiqeveritarë huthi në Jemen pretenduan të hënën se kanë goditur me raketë balistike një bazë ushtarake në kryeqytetin Riad të Arabisë Saudite...

667212
Jemen – Rebelët huthi godasin me raketë një bazë ushtarake saudite në Riad

Rebelët antiqeveritarë huthi në Jemen pretenduan të hënën se kanë goditur me raketë balistike një bazë ushtarake në kryeqytetin Riad të Arabisë Saudite.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” (AP) thekson se ky është sulmi i parë raketor i huthitëve në Riad.

Mbretëria e Arabisë Saudite nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që rebelët huthi në Jemen kanë paralajmëruar sulme të reja kundër këtij vendi.

Sipas një komunikate të publikuar nga agjencia shtetërore jemenase e lajmeve “SABA”, tashmë prej një kohe të gjatë nën kontrollin e huthitëve, baza ushtarake Al-Mazahmiya në Riad, e cila është goditur me raketë balistike, ndodhet rreth 1.000 km larg kryeqytetit Sana të Jemenit.

Mediat arabe hodhën pretendimin se raketa, që shënjestroi Riadin, është ajo e tipit “Borkan-1”, një lloj i ngjashëm me ato sovjetike “Scud”, prodhuar dhe sofistikuar në Jemen. Gjithnjë siç njoftojnë mediat arabe, rrezja e veprimit të këtyre raketave është rreth 800 km.

Javën e kaluar, rebelët huthi organizuan gjithashtu një sulm kamikaz me gomone-bombë kundër një luftanijeje saudite në Detin e Kuq duke shkaktuar vdekjen e 2 ushtarëve të marinës së Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Forcat e koalicionit arab nën drejtimin e Riadit po ndërmarrin që prej marsit të vitit 2015 operacione ushtarake kundër rebelëve huthi, në mbështetje të qeverisë jemenase ndërkombëtarisht të njohur.

I përfshirë nga një sërë trazirash që prej disa vitesh, Jemeni është ndarë “de fakto” në 3 pjesë. Zona lindore, ajo qendrore dhe qytetet jugperëndimore të vendit, përfshi këtu edhe Adenin me Taizin, kontrollohen nga Abdrabbuh Mansour Hadi.

Kurse zona perëndimor e Jemenit është pothuajse tërësisht nën kontrollin e huthitëve të mbështetur nga Irani.

Dy kampet në fjalë luftojnë kundër njëri-tjetrit që prej marsit të vitit 2015.



Lajme të ngjashme