OKB-ja, thirrje palëve që të japin garanci për marrëveshjen mbi “Qipron e Bashkuar”

Përfaqësuesi i përhershëm i Suedisë në OKB, Olof Skoog, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit për muajin janar, u bëri thirrje palëve që të japin garanci për marrëveshjen historike për “Qipron e Bashkuar”...

658001
OKB-ja, thirrje palëve që të japin garanci për marrëveshjen mbi “Qipron e Bashkuar”

Këshilltari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Qipron, Espen Barth Eide, deklaroi të hënën në mbrëmje se shtysa në bisedimet e paqes për Qipron vazhdon, por zgjidhja e problemeve kyçe është e vështirë.

I asistuar gjithashtu nga Elizabeth Spehar, përfaqësuese speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Qipron dhe shefe e Misionit Paqeruajtës të OKB-së në Qipro (UNFICYP), Espen Barth Eide informoi diplomatët e vendeve anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rreth zhvillimeve të fundit në negociata, gjatë një seance të mbyllur në Nju-Jork.

Pas këtij takimi pa praninë e mediave, Eide iu përgjigj interesit të gazetarëve në konferencë shtypi duke tërhequr vëmendjen se problemet kyçe janë “garancitë për vendbanimet dhe sigurinë”.

“Një komunitet e shikon praninë e ushtarëve turq si pjesë të zgjidhjes, ndërsa tjetri si pjesë të problemit”, tha ai.

Duke sqaruar se nuk është përcaktuar një hark kohor për negociatat, diplomati norvegjez vuri në pah se edhe aktorët ndërkombëtarë, krahas palëve në Qipro, ndajnë mendimin se negociatat kanë marrë një shtysë të fuqishme.

Eide theksoi se koha është shumë e përshtatshme në aspektin e zgjidhjes, por, në rast se përpjekjet mbeten pa rezultat, askush nuk është në gjendje të thotë se kur mund të kapet përsëri një shans i tillë.

“Kemi një dritare shansi jo shumë të madhe. A është e lehtë? Jo”, shtoi këshilltari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Qipron.

Në sesionin e drejtuar nga përfaqësuesi i përhershëm i Suedisë në Kombet e Bashkuara, Olof Skoog, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin janar, anëtarët e Këshillit të Sigurimit janë shprehur të kënaqur nga zhvillimet e fundit në Qipro dhe kanë potencuar se ky shans historik në Qipro duhet të vlerësohet dhe shfrytëzohet me çdo kusht.

Ambasadori Skoog, nga ana e tij deklaroi për gazetarët se vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë pritur me kënaqësi zhvillimet e fundit në lidhje me këtë çështje, si dhe shqyrtimin për herë të parë të kapitullit mbi “Sigurinë dhe Garancitë” në negociatat e Gjenevës.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së – vijoi ai – u ka bërë thirrje unanimisht të gjitha palëve për të vlerësuar progresin e shënuar në këto negociata dhe për të shfrytëzuar shansin, si dhe ka lavdëruar vendosmërinë dhe guximin e të dy liderëve të Qipros.

“Mbështetja kritike e OKB-së për procesin do të vazhdojë duke lehtësuar gjithashtu rolin aktiv të Espen Barth Eide dhe Elizabeth Spehar në këto negociata”, tha diplomati suedez ndër të tjera.

Në fund, pasi njoftoi se vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë rikonfirmuar premtimin e tyre për të mbështetur pa u pakursyer të dyja palët qipriote në lidhje me arritjen e “marrëveshjes për vendbanimet”, përfshi këtu edhe zgjatjen e mandatit të misionit UNFICYP; ambasadori Skoog u bëri thirrje palëve që të japin garanci për marrëveshjen historike për “Qipron e Bashkuar”.



Lajme të ngjashme