Mogherini kundërshton Trumpin për transferimin e Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, kundërshtoi të hënën në mbrëmje idenë e Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për transferimin e Ambasadës amerikane nga Tel-Avivi në Jerusalem...

Mogherini kundërshton Trumpin për transferimin e Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, kundërshtoi të hënën në mbrëmje idenë e Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që më 20 janar do të marrë zyrtarisht funksionet, për transferimin e Ambasadës amerikane në Izrael nga Tel-Avivi në Jerusalem.

Federica Mogherini deklaroi se transferimi i Ambasadës së SHBA-së mund të shkaktojë probleme në botën arabe dhe shtoi që nuk është bërë ende një hap zyrtar në lidhje me këtë çështje.

“Është e rëndësishme për të gjithë ne që t’u shmangemi veprimeve të njëanshme, sidomos atyre veprimeve, të cilat mund krijojnë probleme serioze në opinionin publik në një pjesë të madhe të botës”, u shpreh shefja e diplomacisë evropiane.

Ajo theksoi se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila parashikon që ambasadat në Izrael të mos vendosen në Jerusalem, ka fuqi detyruese.

“E them me siguri që ne s’do ta transferojmë delegacionin tonë nga Tel-Avivi”, përfundoi Federica Mogherini.



Lajme të ngjashme