Gjermani – Hidhet poshtë kërkesa për ndalimin e partisë së ekstremit të djathtë

Gjykata Kushtetuese gjermane njoftoi të martën se ka hedhur poshtë kërkesën për ndalimin e partisë së ekstremit të djathtë NPD (Partia Nacionaldemokrate)...

Gjermani – Hidhet poshtë kërkesa për ndalimin e partisë së ekstremit të djathtë

Gjykata Kushtetuese gjermane njoftoi të martën se ka hedhur poshtë kërkesën për ndalimin e partisë së ekstremit të djathtë NPD (Partia Nacionaldemokrate).

“Pretendimet e palës ankuese janë hedhur poshtë. Dhoma e dytë vlerësoi njëzëri se është e qartë që NPD-ja ka shfaqur qëllime antikushtetuese, por nuk ka për momentin elemente konkrete me rëndësi që të lënë të besosh se nisma e partisë mund të kurorëzohet me sukses”, bëri të ditur kryetari i Gjykatës Federale Kushtetuese të Gjermanisë, Andreas Vosskuhle.

Duke rikujtuar se Këshilli Federal i Gjermanisë (Bundesrat) ka aplikuar në vitin 2013 pranë Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e NDP-së, Andreas Vosskuhle theksoi se shënjestrimi i bazave të rendit liberal-demokratik nuk përbën një arsye të mjaftueshme për ndalimin e një force politike.

Mes të tjerash, numri 1 i kushtetueses gjermane vuri në pah se ndalimi i një partie nuk nënkupton ndalimin apo kufizimin e një mendimi apo botëkuptimi.

Në vitin 2003, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë kishte marrë në shqyrtim kërkesën e qeverisë për ndalimin e Partisë Nacionaldemokrate, por çështja kishte rezultuar një dështim i plotë, me arsyetimin se brenda NDP-së kishte informatorë të shërbimeve të inteligjencës.

Themeluar në vitin 1964, kjo forcë politike e ekstremit të djathtë dhe kundërshtare e fuqishme e emigracionit ka rreth 5.200 anëtarë.

Mjaft popullore sidomos në shtetet federale lindore të Gjermanisë, NDP-ja ka shumë përfaqësues edhe në këshillat bashkiakë.

Udo Voigt, ish-kryetari i partisë në fjalë, e cila nuk ka deputetë as në Parlamentin Federal të Gjermanisë (Bundestag) dhe as në kuvendet e landeve (Landtag), shënoi suksesin e tij më të madh në vitin 2014 duke u zgjedhur deputet i Parlamentit Evropian.

NDP-ja, fituese e 1,3 për qind të votave në zgjedhjet legjislative të vitit 2013 në Gjermani, përfiton nga shteti një mbështetje financiare prej afro 1,4 milionë eurosh.

Gjykata Kushtetuese gjermane ka ndaluar më parë në vitin 1952 Partinë Socialiste të Rajhut (SRP) dhe në 1956-n Partinë Komuniste të Gjermanisë (KDP).



Lajme të ngjashme