Francë - Të dielën fillon konferenca për paqen në Lindjen e Mesme

Me qëllimin për të rigjallëruar negociatat dhe nxitur marrëdhëniet palestinezo-izraelite në një nivel të ri të dielën fillon në Paris konferenca për paqen në Lindjen e Mesme.

Francë - Të dielën fillon konferenca për paqen në Lindjen e Mesme

Ditën e nesërme (15.01.2017) nis në Paris konferenca për paqen në Lindjen e Mesme e cila mbahet me qëllim për të rigjallëruar përsëri negociatat dhe për të nxitur marrëdhëniet në një nivel të ri mes Palestinës dhe Izraelit.

Theksohet se konferenca është një shans i fundit për zgjidhjen me dy shtete për shkak të qëndrimit ndaj çështjes Izrael-Palestinë që ka Donald Trump, i cili më 20 janar do të marrë zyrtarisht detyrën e presidentit të ShBA-ve.

Konferenca për paqen në Lindjen e Mesme prej 9 vitesh ka cilësinë si konferenca e parë e cila zhvillohet në këtë nivel. Në konferencë do të marrin pjesë përfaqësuesit e afërsisht 70 vendeve. Është njoftuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidenti palestinez Mahmud Abas nuk do të marrin pjesë.

Ndërsa në anën tjetër, sipas informacioneve të marra theksohet se Abas dhe Netanjahu, të cilët nuk janë takuar që prej vitit 2010, pritet që të takohen në javët e ardhshme në Paris.

Burimet diplomatike theksojnë se Qeveria e Francës në të njëjtën kohë me konferencën ka për qëllim që ti japë një mesazh të fortë presidentit të zgjedhur në ShBA, Donald Trump. Gjithashtu në këtë drejtim vihet në dukje se me një konferencë ndërkombëtare do ti tërhiqet vëmendja Trumpit, i cili ka shkaktuar debate me deklaratat e diskutueshme për Lindjen e Mesme.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të marrë pjesë në konferencë në emër të ShBA-ve dhe theksohet se ky është samiti i fundit ku ai merr pjesë me këtë titull.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, në një deklaratë që kishte bërë të premten, kishte theksuar se në konferencë vendi i tij do të përfaqësohej nga ambasadori rus në Paris dhe se ato janë të gatshëm që të presin në Moskë Abasin dhe Netanjahun.

Kryeministri izraelit Netanjahu në një takim ditë më parë në Francë me presidentin Fransua Oland (François Hollande) ishte shprehur se ishte kundër konferencës dhe se nuk do të njihte vendimet që do të merreshin në Paris.

Ndërsa presidenti Abas në një deklaratë për median franceze është shprehur se "Konferenca e Paqes në Paris ndoshta do të jetë mundësia e fundit për zgjidhjen me dy shtete."

Presidenti i Francës, Fransua Oland, në një deklaratë bërë ditë më parë ishte shprehur se "Qëllimi i kësaj konferencë është për të përsëritur mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për një zgjidhje me dy shtete. Unë besoj se kjo konferencë do të kontribuojë për zgjidhjen e problemit. Bashkë me këtë, paqen do ta bëjnë së bashku izraelitët dhe palestinezët, jo të tjerët. Këtë problem mund ta zgjidhin vetëm negociatat dypalëshe."

Bisedimet për procesin e paqes në Lindjen e Mesme nën udhëheqjen e ShBA-ve ishin bllokuar në muajin prill të vitit 2014. Një draft i përgatitur në Francë si rezultat i përpjekjeve për njohjen e shtetit të Palestinës u miratua në Parlament dhe në Senat në dhjetor të 2014. Drafti kërkonte nga qeveria që të "njihte shtetin e pavarur të Palestinës". Ish-kryediplomati francez, Laurent Fabius, në një fjalim në parlament ishte shprehur se pas të gjitha përpjekjeve, nëse brenda dy viteve nuk do të dalë asnjë rezultat nga bisedimet, Franca do të bëjë atë që është e nevojshme dhe pa humbur shumë kohë do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës.



Lajme të ngjashme