Gjenevë – Palët e Qipros gati të paraqesin hartat për kapitullin e territorit

Palët e Qipros do të paraqesin të mërkurën hartat e tyre, të cilat do të depozitohen në kasafortën speciale të OKB-së, në kuadër të negociatave të mbikëqyrura nga Kombet e Bashkuara për zgjidhjen e problemit ishullor, në Gjenevë të Zvicrës...

648859
Gjenevë – Palët e Qipros gati të paraqesin hartat për kapitullin e territorit

Palët e Qipros do të paraqesin të mërkurën hartat e tyre, të cilat do të depozitohen në kasafortën speciale të OKB-së, në kuadër të negociatave të mbikëqyrura nga Kombet e Bashkuara për zgjidhjen e problemit ishullor, në Gjenevë të Zvicrës.

Sipas informacioneve, që një korrespondent i Agjencisë së lajmeve Anadolli (AA) ka siguruar nga burimet diplomatike, vetëm 5 zyrtarë do t’i shikojnë këto harta, të cilat do të zbulohen ditën e fundit të negociatave në Gjenevë nga Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut, Mustafa Akinci dhe lideri grekoqipriot, Nicos Anastasiades.

Agjenda e sotme e bashkëbisedimeve, që nisën të martën në selinë e OKB-së në Gjenevë, parashikon shqyrtimin e kapitullit kritik të territorit, ndërsa më pas delegacionet negociuese do të dalin jashtë sallës. Brenda saj do të qëndrojnë vetëm dy liderët e ishullit; Akinci dhe Anastasiades; dy hartografë dhe këshilltari special i Kombeve të Bashkuara për Qipron, Espen Barth Eide.

Nën mbikëqyrjen e emisarit të OKB-së, Mustafa Akinci dhe Nicos Anastasiades do të paraqesin njëkohësisht hartat e tyre. Ato do të shqyrtohen nga dy hartografët, njëri turkoqipriot dhe tjetri grek i Qipros, pastaj do t’i dorëzohen këshilltarit Eide, që do t’i ruajë ato në kasafortën e posaçme të Kombeve të Bashkuara.

Zëdhënësi i Presidencës së Republikës Turke të Qipros së Veriut, Baris Burcu, kishte njoftuar në një deklaratë të mëparshme se propozimi i palës turke për territorin në ishull është 29,2 për qind; ndërkohë që dihet se pala grekoqipriote këmbëngul në 28,2 për qind.



Lajme të ngjashme