Rusi – Forcat tona ushtarake e kanë kryer misionin kryesor në Siri

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shojgu tha se forcat ajrore ruse në Siri vitin e kaluar e kanë kryer misionin kryesor që ishte përcaktuar nga Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin.

648303
Rusi – Forcat tona ushtarake e kanë kryer misionin kryesor në Siri

“Detyrat janë realizuar pavarësisht vështirësive dhe pa mbështetjen e koalicionit ndërkombëtar, gjë për të cilën ka pasur nevojë, por që fatkeqësisht kjo mbështetje nuk ka ardhur”, u shpreh Shojgu dhe shtoi:

“Dhe kjo situatë na detyroi të dislokojmë atje (në Siri) një grup anijesh bashkë me aeroplanmbajtëse, të dërgojmë përforcime në forca ajrore dhe policinë ushtarake”.

Në përgjigje të deklaratave të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Eshtën Kartër (Ashton Carter), i cili për përpjekjet e Rusisë në luftën kundër terrorit në Siri kishte thënë se ndihma ruse kishte qenë pothuajse “zero”, ministri Shojgu tha se “Kartër duhet të ketë ngatërruar emrat e vendeve”.

“Është e pamundur të pajtohesh me mendimin e homologut tim”, ishte shprehur Shojgu për deklaratat e Kartërit, që kritikojnë rolin e Rusisë në Siri.

Kurse Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valerij Gerasimov ka deklaruar se që nga shtatori 2015, kur edhe kanë filluar operacionet e forcave ajrore të Rusisë kundër grupeve terroriste në Siri, e deri më sot janë asgjësuar 174 uzina të prodhimit të naftës, të cilat kontrolloheshin nga DAESH-i.

Gerasimov tha se sistemi i furnizimit të DAESH-it ishte shkatërruar dhe organizatës i ishin ndërprerë burimet kryesore të të ardhurave.

Përveç kësaj që nga data kur kanë filluar operacionet e avionëve luftarakë rusë e këtej janë realizuar 19 mijë inkursione ajrore, kurse ndaj grupeve terroriste janë kryer 71 mijë sulme ajrore, njoftoi Gerasimov, duke shtuar se gjatë të njëjtës periudhë kohore është rimarrë dhe spastruar nga grupet terroriste në Siri një territor me sipërfaqe 12 mijë e 350 kilometra katrorë.



Lajme të ngjashme