Emisari i OKB-së: Negociatat për Qipron në momentin e së vërtetës

Negociatat për të ardhmen e Qipros, të cilat rifilluan të hënën në Gjenevë, janë në momentin final, në momentin e së vërtetës, deklaroi emisari i OKB-së, Espen Barth Eide, duke shtuar se një marrëveshje ishte e vështirë, por e mundur...

Emisari i OKB-së: Negociatat për Qipron në momentin e së vërtetës

Negociatat për të ardhmen e Qipros, të cilat rifilluan të hënën në Gjenevë, janë në momentin final, në momentin e së vërtetës, deklaroi emisari i OKB-së, Espen Barth Eide, duke shtuar se një marrëveshje ishte e vështirë, por e mundur.

Për të tretën herë që prej muajit nëntor, Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut, Mustafa Akinci dhe lideri grekoqipriot, Nicos Anastasiades, u takuan në Zvicër në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për problemin qipriot, i cili vijon prej më se 40 vitesh.

“Progrese të rëndësishme janë bërë që prej vitit 2015, datë e rifillimit të dialogut mes dy liderëve”, deklaroi këshilltari special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Espen Barth Eide, në një konferencë shtypi.

“Por mbeten për t'u diskutuar çështje më të kompikuara, më emocianale”, pranoi ai.

Delegacionet e dy palëve ishullore do të negociojnë deri të mërkurën, më pas një konferencë për Qipron do të mbahet të enjten, zgjeruar me tre “garantë” të sigurisë së ishullit: Greqinë, Turqinë dhe Britaninë e Madhe.

“Ne jemi tashmë në momentin final, në një moment të së vërtetës”, tha diplomati norvegjez.

“Konferenca e 12 janarit do të jetë efikase vetëm nëse ne arrijmë suksese më 9 dhe 11 janar”, shtoi ai.

I pyetur për nivelin e pjesëmarrësve në këtë konferencë, Eide u përgjigj se do të ishte në nivelin më të lartë ose në nivelin e dytë më të lartë.

Pjesëmarrja e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, e Kryeministres britanike, Theresa May dhe e shefit të ekzekutivit grek, Alexis Tsipras, ishte përmendur më parë; por, sipas burimeve pranë Londrës, qeveria britanike do të përfaqësohet nga sekretari i Punëve të Jashtme, Boris Johnson. Megjithatë kjo mbetet ende për t'u konfirmuar.



Lajme të ngjashme