Siri – Vritet nga DAESH-i një qytetar britanik në radhët e YPG-së

Qytetari britanik, Ryan Lock, 20 vjeç, që iu bashkua radhëve të YPG-së, krahu i armatosur i PYD-së, fraksioni sirian i organizatës terroriste dhe separatiste PKK, është vrarë muajin e kaluar nga terroristë të DAESH-it, njofton media angleze...

Siri – Vritet nga DAESH-i një qytetar britanik në radhët e YPG-së

Qytetari britanik, Ryan Lock, 20 vjeç, që iu bashkua radhëve të YPG-së, krahu i armatosur i PYD-së, fraksioni sirian i organizatës terroriste dhe separatiste PKK, është vrarë muajin e kaluar nga terroristë të DAESH-it, bëjnë të ditur burime mediatike angleze.

Sipas shtypit britanik, Ryan Lock punonte si kuzhinier në Angli përpara se t’u bashkohej radhëve të YPG-së në gusht 2016.

Një lajm i të përditshmes “The Guardian” thekson se Lock ka marrë pjesë në sulmet, që YPG-ja ka organizuar për të marrë kontrollin e qytetit Rakka nga organizata terroriste DAESH, ndërkohë që është vrarë në afërsi të fshatit Xhaber, më datë 21 dhjetor.

Teksa largohej nga Anglia, 20-vjeçari i kishte thënë familjes së tij se po shkonte për pushime në Turqi. Por më vonë, përmes një statusi të publikuar më 31 gusht në rrjetin social “Facebook”, Ryan Lock pranonte se kishte gënjyer në lidhje me këtë çështje.

“Jam duke shkuar në Rozhavë. Kam gënjyer sa i përket udhëtimit në Turqi. Më vjen keq që nuk i tregova askujt. Ju dua të gjithëve dhe do të kthehem pas gjashtë muajsh”, shkruante ai në “Facebook”.

Sipas lajmit të gazetës “The Guardian”, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar ka theksuar të hënën gjatë një konference për shtyp se paralajmërimet për të mos udhëtuar në Siri janë ende të vlefshme për qytetarët britanikë.

“Mbretëria e Bashkuar ka shkëshilluar disa herë çdo udhëtim në Siri. Duke qenë se atje janë ndërprerë të gjitha shërbimet konsullore të Mbretërisë së Bashkuar, është jashtëzakonisht e vështirë për të konfirmuar statusin dhe vendndodhjen e shtetasve britanikë në Siri. Kushdo që udhëton në këto zona, për çfarëdo arsye, është duke vënë vetveten në rrezik të konsiderueshëm”, tha zëdhënësi i diplomacisë britanike.



Lajme të ngjashme