Siri – Opozita paralajmëron ngrirje të bisedimeve nëse armëpushimi nuk respektohet

Grupet e opozitës së armatosur në Siri deklaruan se nuk do të marrin pjesë në bisedimet politike të Astanës në rast se ushtria besnike e Beshar Esadit dhe milicët përkrahës të regjimit vazhdojnë të shkelin armëpushimin...

Siri – Opozita paralajmëron ngrirje të bisedimeve nëse armëpushimi nuk respektohet

Grupet e opozitës së armatosur në Siri deklaruan se nuk do të marrin pjesë në bisedimet politike, të cilat do të mbahen në kryeqytetin Astanë të Kazakistanit, në rast se ushtria besnike e Beshar Esadit dhe milicët përkrahës të regjimit vazhdojnë të shkelin armëpushimin.

“Po ngrijmë bisedimet dhe konsultimet, të cilat do të bëheshin në lidhje me negociatat e Astanës, derisa (regjimi) t’i përmbahet tërësisht armëpushimit. Kërkesa e regjimit dhe e mbështetësve të tij për të kontrolluar një hapësirë më të madhe dhe për transformim rajonal në territoret e Sirisë konsiderohet shkelje flagrante e dispozitës më të rëndësishme të armëpushimit. Nëse regjimi nuk respekton kushtet përpara nënshkrimit të armëpushimit, atëherë marrëveshja nuk ka më një vlerë dhe kjo nënkupton fundin e saj”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të opozitarëve, publikuar të hënën.

Komunikata e grupeve opozitare siriane thekson gjithashtu se dështimi i Rusisë, shtet që i ka dalë garant regjimit të Esadit, për ta detyruar këtë të fundit të zbatojë kushtet e armëpushimit, vë në pikëpyetje fuqinë dhe influencën e Moskës mbi regjimin.

Marrëveshja e armëpushimit, arritur falë edhe nismës së Turqisë ndërmjet palëve luftuese në Siri, kishte hyrë në fuqi më datë 30 dhjetor 2016, në 00:00 sipas orës lokale (01:00 sipas orës turke).

Por forcat besnike të Esadit dhe grupet e huaja terroriste përkrahëse të regjimit vazhdojnë me shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Më 1 janar 2017, dy fëmijë humbën jetën si pasojë e një sulmi në Kefer Dail, një vendbanim në perëndim të Halepit.

Kurse të hënën (2 janar), forcat e regjimit sirian goditën me predha mortaje zonën e Oazave (Guta) Lindore të Damaskut, ku ndodhen vendbanimet Xhesrejn, Hamurije, Dejr Kanun e Kafr Zejta, por edhe kampi i refugjatëve Jermuk, duke shkaktuar vdekjen e 5 civilëve.

Në shënjestër të sulmeve ishin gjithashtu qyteza Jermuk dhe fshati Xhaberije në veri të Hamës, qyteti Xhisr esh-Shugur i provincës Idlib, qyteza Anadan në perëndim të Halepit, si dhe ajo Telbise e Humusit, ku mbeti i vrarë një civil.

Përshkallëzimi i shkeljeve nga forcat e regjimit të armëpushimit, arritur me ndërmjetësimin dhe garancinë e Turqisë dhe Rusisë, vështirëson objektivin për fillimin e negociatave politike brenda këtij muaji në kryeqytetin Astanë të Kazakistanit.

Sipas marrëveshjes, Turqia pret nga Rusia, e cila është garantuese e regjimit sirian, që të intensifikojë përpjekjet për t’u dhënë fund shkeljeve të forcave besnike të Esadit.



Lajme të ngjashme