Përse e bombardon Esadi Luginën Barada?!

Pas marrjes së kontrollit të Halepit, regjimi i Esadit shkeljet e armëpushimit të arritur me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Rusisë i ka përqendruar me bombardime nga ajri në Luginën Barada, po cila është arsyeja?!

Përse e bombardon Esadi Luginën Barada?!

Lugina Barada, ku forcat e regjimit të Beshar Esadit në Siri dhe përkrahësit e tij kanë intensifikuar sulmet pas marrjes nën kontroll të Halepit, është bërë fokusi i shkeljeve të armëpushimit.

Armëpushimi i arritur mes palëve ndërluftuese nën garantimin e Turqisë dhe Rusisë, hyri në fuqi më 30 dhjetor, por forcat e regjimit dhe grupet e huaja terroriste e kanë shkelur atë.

Ushtria e Esadit dhe forcat e Hizbullahut, pas marrjes së tërësishme nën kontroll të qendrës së Halepit dy javë më parë, kanë intensifikuar sulmet në Luginën Barada 16 km larg nga Damasku.

Lugina Barada, e cila prej dy javësh është në shënjestër të sulmeve të intensifikuara, edhe pas armëpushimit shpesh herë është duke u sulmuar me bomba fuçi. Gazetarët e agjencisë turke të lajmeve AA bëjnë të ditur se rajoni të dielën në darkë është sulmuar 4 herë nga ajri. Nga këto sulme dy kanë qenë me bomba fuçi, ndërkohë që sulmet vazhdojnë ende.

“Në Barada nuk ka organizatë terroriste”

Nga marrëveshja për armëpushim ishin përjashtuar organizatat si: Fronti Al-Nusra dhe DAESH, të cilat Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së) i cilëson si organizata terroriste.

Ebu Muhammed el-Baradani, përgjegjësi mediatik për Luginën Barada, në deklaratën për gazetarin e AA-së tha se në këtë rajon nuk ka organizatë terroriste.

“Në Luginën Barada nuk ka asnjë organizatë terroriste. Në këtë rajon nuk ndodhen as Al-Nusra, as DAESH-i. Madje, këtu nuk ka as grupe të huaja opozitare që luftojnë. Vendasit e rajonit luftojnë nën çatinë e Ahraru’sh-Sham dhe Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS). Këtë e them në mënyrë të qartë dhe të prerë”, tha el-Baradani.

Ndërkaq, komandanti i Ahraru’sh-Sham për rajonin, Ebu Zejd, tha se “Regjimi vazhdon sulmet nga ajri dhe toka edhe pse armëpushimi vazhdon të jetë në fuqi. Njerëzit nuk po mund të lëvizin për shkak të snajperëve. Prej dhjetë ditësh ata janë të privuar nga nevojat elementare".

Grupet opozitare pjesë e armëpushimit, përmes një komunikate të përbashkët të publikuar ditë më parë theksuan: “I bëjmë thirrje opinionit ndërkombëtar t’i shohë masakrat e regjimit në Luginën Barada dhe Rusisë si garantuese e regjimit t’i kryejë detyrimet e saj".

Pozita e Luginës Barada

Lugina Barada ndodhet 16 kilometra larg qendrës së Damaskut dhe 12 kilometra larg kufirit me Libanin. Në të gjendet edhe burimi i ujit Ajn el-Fixha, prej të cilit kryeqyteti siguron furnizimin më të madh të ujit.

Pjesa e banuar e rajonit, e cila strehon afërsisht 100 mijë sirianë, në mesin e të cilëve ka edhe persona që kanë ardhur nga rajone të ndryshme të përfshira nga luftimet, përbëhet nga një sipërfaqe prej 12 kilometrash katrorë.

Për t’i marrë nën kontrollet burimet e ujit në rajon, Hizbullahu dhe ushtria e Sirisë në muajin korrik kishin rrethuar Luginën Barada dhe kishin mbyllur të gjitha hyrjet dhe daljet në luginë. Më parë në Luginën Barada nuk kanë ndodhur luftime, kurse shënjestër e sulmeve rajoni u bë pas përfundimit të evakuimit të civilëve dhe opozitarëve nga Halepi.

Lugina Barada është e rrethuar me male të larta. Fshatrat që ndodhen në Luginën Barada, siç janë Suk Vadi Barada, Kafr el-Avamid, Husejnije, Dejr Kanun, Kefr ez-Zejt, Ajn el-Hadra, Besime, Dejr Makran, Ajn el-Fixha dhe Afra, janë nën kontrollin e opozitarëve.



Lajme të ngjashme