Armëpushimi i përgjithshëm në Siri do të hyjë në zbatim këtë natë

Ministria e Jashtme e Turqisë ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për armëpushimin mes palëve luftuese në Siri duke filluar nga ora 00:00 më 30 dhjetor.

Armëpushimi i përgjithshëm në Siri do të hyjë në zbatim këtë natë

Sipas lajmit të Agjencisë Turke të Lajmeve Anadolli AA, Ministria e Jashtme e Turqisë ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për armëpushimin mes palëve luftuese në Siri duke filluar nga ora 00:00 më 30 dhjetor.

Në deklaratën me shkrim nga ministria është rikujtuar se në drejtim të gjetjes së zgjidhjes gjithëpërfshirëse politike për konfliktin në Siri, prej një kohe të gjatë janë duke u zhvilluar punime intensive për fillimin e bisedimeve mes regjimit dhe opozitarëve, përfundimin e dhunës dhe realizimin e ndihmave humanitare.

Sipas deklaratës, grupet e shpallura si organizata terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së) nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, ndërkohë që Turqia dhe Rusia kanë dhënë mbështetjen e tyre si vendet garantuese të saj.

Deklarata nënvizon se me këtë armëpushim palët janë të detyruara t’i ndërpresin sulmet e armatosura, përfshirë edhe ato ajrore, dhe të mos përpiqen t’i zgjerojnë zonat që i kontrollojnë kundrejt njëri-tjetrit.

Në deklaratë, më tej thuhet: “Është me rëndësi që të gjitha palët ta respektojnë këtë armëpushim. Turqia dhe Rusia do t’i japin mbështetje të fuqishme armëpushimit, ndërsa së bashku do ta ndjekin edhe procesin pas tij. Për zbatimin e armëpushimit, rëndësi të madhe pa dyshim ka edhe mbështetja e nevojshme e shteteve të cilat kanë ndikim mbi grupet në terren. Shteti ynë ka luajtur rol determinues në përfundimin e evakuimeve nga Halepi para disa ditësh dhe në arritjen e armëpushimit i cili do të zbatohet në tërë Sirinë nga dita e nesërme."

"Duke e respektuar në mënyrë të plotë armëpushimin, me shpresë për të hedhur hapa të rëndësishëm për rigjallërimin e procesit politik nën monitorimin e OKB-së përmes takimit në Astana të regjimit dhe opozitës nën mbikëqyrjen e shteteve garantuese me qëllim të arritjes së tranzicionit politik në Siri në bazë të Konventës së Gjenevës dhe rezolutës 2254 të KS të OKB-së, Turqia do t’i vazhdojë përpjekjet e saj në këtë drejtim pa pushim", theksohet në deklaratë.

Ndërkaq edhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka bërë të ditur se nën e garancinë e Turqisë dhe Rusisë, në Siri është arritur marrëveshja për armëpushim.


Fjalët Kyçe: Siri , armëpushimi në Siri

Lajme të ngjashme