Siri – Forcat e regjimit plaçkitin banesat e civilëve të evakuuar

Burime nga terreni njoftojnë forcat besnike të Esadit po plaçkitin shtëpitë e të shpërngulurve nga Halepi dhe kërkojnë shuma të mëdha për civilët që duan të marrin me vete shumë plaçka.

Siri – Forcat e regjimit plaçkitin banesat e civilëve të evakuuar

23 civilë është deri tani bilanci i sulmit ajror që mori në shënjestër një fshat të qytezës al-Suvar, e varur nga provinca Deyr-uz Zur në lindje të Sirisë.

Ahmet Hasan, një aktivist vendor nga lagja Sur, tha se një avion luftarak i ushtrisë ruse ka bombarduar fshatin al-Ihrixhijje, i varur nga lokacioni Suvar i provincës Deyr’uz–Zur.

Hasan u shpreh se në këtë sulm kanë humbur jetën 23 civilë, në mesin e të cilëve ka edhe gra e fëmijë, dhe janë plagosur me dhjetëra të tjerë.

Në fshat janë shembur dhe dëmtuar shumë banesa. Ekipet e mbrojtjes civile vazhdojnë punimet për të gjetur dhe shpëtuar civilët që kanë mbetur nën rrënojat e shtëpive të shembura, raporton aktivisti Hasan.

Ndërkaq edhe lagjet perëndimore të Halepit vazhdojnë të përballen me n bombardime intensive.

Jasir Ali , një aktivist tjetër vendor, thotë se avionë luftarakë të Rusisë dhe regjimit sirian kanë bombarduar në mënyrë intensive vendbanimet Daret Izaa dhe Daal si dhe qytezën Etarib, që ndodhen në pjesën perëndimore të Halepit.

Në këto sulme ajrore, raporton Ali, janë plagosur një numër i madh njerëzish, ndërsa shton se pas evakuimit të civilëve nga Halepi lindor avionët rusë dhe të regjimit kanë filluar të bombardojnë zonat perëndimore të Halepit.

Nga ana tjetër njoftohet se forcat besnike të Esadit po plaçkitin shtëpitë e të shpërngulurve nga lindja e Halepit.

Siç raportojnë burimet vendore ngjarjet e plaçkitjes, të cilat kanë filluar që në muajin nëntor nga njësitë luftarake të ushtrisë së regjimit dhe të komanduara nga koloneli Suhejl al-Hasan, kanë ardhur duke u shtuar bashkë me evakuimet e fundit të banorëve nga Halepi lindor.

Këto forca të armatosura disa lagje të qytetit i kanë rrethuar dhe hyjnë brenda nëpër banesa me pretekstin se “po çaktivizojnë dhe asgjësojnë bombat e kurthuara” dhe grabisin sendet me vlerë që gjejnë.

Kështu janë boshatisur me mijëra shtëpi e banesa dhe rastet e grabitjes janë intensifikuar sidomos në lagjet Seyfu’d-Delve, Ez-Zibdiyye, Salahaddin dhe Es-Sukkeri.

Në këtë zonë forcat e regjimit të Esadit kanë ngritur shumë postblloqe dhe kërkojnë shuma të mëdha parash nga civilët që duan të marrin me vete shumë sende, duke i detyruar ata në këtë mënyrë që të lënë prapa një pjesë të plaçkave.

Armëpushimi në pjesën lindore të Halepit, të kontrolluar nga opozitarët, si dhe evakuimi i civilëve ishin arritur me ndërmjetësimin e Rusisë dhe Turqisë.

Procesi i evakuimit filloi më 15 dhjetor dhe gjatë këtyre 8 ditëve janë shpërngulur rreth 44 mijë civilë dhe opozitarë, të cilët nga Halepi u nxorën me qindra autobusë dhe mijëra automjete civile.



Lajme të ngjashme