Gjendet kutia e zezë e avionit ushtarak rus të rrëzuar në Detin e Zi

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë deklaroi të martën se është gjetur kutia e zezë e avionit ushtarak tip Tu-154, që ishte rrëzuar të dielën në Detin e Zi.

Gjendet kutia e zezë e avionit ushtarak rus të rrëzuar në Detin e Zi

Sipas deklaratës së ministrisë, që ka zënë vend në shtypin rus, kutia kryesore e zezë e avionit është gjetur sot në mëngjes 1 mijë e 700 metra larg bregut dhe në thellësinë 17 metra.

Mësohet se kutia do të dërgohet sa më shpejt në Moskë për të vazhduar procedurën për deshifrimin dhe analizimin e saj.

Njoftohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe pjesë të tjera të avionit dhe operacionet vazhdojnë pa ndërprerje. Në këtë kuadër janë gjetur edhe 12 kufoma të tjera.

Avioni i tipit “Tupolev Tu-154” u rrëzua të dielën pak pas ngritjes së tij nga aeroporti i Soçit, ku ishte furnizuar me karburant për të shkuar në Siri me 92 persona në bord.

Shumica e viktimave ishin artistë të korit të Ushtrisë së Kuqe, të cilët do të jepnin koncert për vitin e ri në bazën ruse në Himeymim të Sirisë.

Deri tani autoritetet ruse e kanë përjashtuar tezën e një atentati, duke privilegjuar aksidentin e lidhur me një gabim njerëzor apo defekt teknik.



Lajme të ngjashme