Rusi - Aksidenti ajror mund të jetë shkaktuar nga defekti teknik

Ministri i Transportit i Rusisë, Maksim Sokolov, ka theksuar se rrëzimi i avionit rus i tipit Tu-154 me 92 persona mund të ketë ndodhur si pasojë e problemeve teknike apo gabim gjatë pilotimit.

638199
Rusi - Aksidenti ajror mund të jetë shkaktuar nga defekti teknik

Ministri i Transportit i Rusisë, Maksim Sokolov, ka theksuar se rrëzimi i avionit rus i tipit Tu-154 me 92 persona mund të ketë ndodhur si pasojë e problemeve teknike apo gabim gjatë pilotimit, duke shtuar se nuk e shikojnë si të mundshme që aksidenti të ketë ndodhur si pasojë e ndonjë sulmi terrorist. 

Sokolov, i cili është duke kryesuar komisionin e formuar për aksidentin ajror në Detin e Zi, në një deklaratë u shpreh: “Se për çfarë arsye ka rënë aeroplani do të bëhet tërësisht e ditur në fund të hetimit. Aktualisht besohet për probleme teknike apo gabim gjatë pilotimit. Në mesin e mundësive nuk bën pjesë ndonjë aktivitet terrorist.”

Nga ana tjetër, ende vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit në vendin ku u rrëzua aeroplani Tu-154 i Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, deri më tani janë gjetur 11 kufoma dhe 154 pjesë që i përkisnin aeroplanit. Në punimet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar 35 anije, 135 zhytës, shtatë mjete për vëzhgim nënujor dhe 3.500 persona. Pritet që kufomat të dërgohen në Moskë me avion për identifikimin e tyre.

Po ashtu bëhet e ditur se ekspertët kanë gjetur pikën e saktë të rënies duke inspektuar gjurmët e radarit dhe se ende vazhdojnë punimet për gjetjen e kutisë së zezë.

Ndërkaq, sot në Rusi është shpallur ditë zie për shkak të aksidentit ajror, ku në Soçi dhe Moskë janë duke u organizuar aktivitete të ndryshme.

Avioni i tipit Tu-154 që u nis nga Moska, pas furnizimit me karburant në Soçi planifikonte të shkonte në Siri. Aeroplani transportonte pjesëtarë të korit të cilët do të mbanin koncert në bazën ruse Hmejmim në Siri me rastin e Vitit të Ri.



Lajme të ngjashme