Abbas: Rezoluta e KS të OKB-së rast i mirë për rifillimin e negociatave

"Rezoluta nuk është zgjidhje e çështjes palestineze, por është një rast për ripërtëritjen e negociatave të paqes", deklaroi Abbas.

Abbas: Rezoluta e KS të OKB-së rast i mirë për rifillimin e negociatave

Presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas, deklaroi sot se miratimi i rezolutës për ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve ilegale hebreje në territorin e okupuar palestinez nuk është zgjidhje e çështjes palestineze, por është një rast për ripërtëritjen e negociatave të paqes mes Palestinës dhe Izraelit. 

Abbas mori pjesë në shënimin e Krishtlindjes në Betlehem ku deklaroi se dje u realizua fitorja kur bashkësia ndërkombëtare i shpalli si ilegale vendbanimet të cilat Izraeli i ndërtoi në territorin palestinez dhe bëri thirrje që ndërtimet të ndalojnë urgjentisht. 

“Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk do të thotë se çështja palestineze është zgjidhur, por është një rast i mirë për ripërtëritjen e negociatave të paqes dhe arritjen e zgjidhjes së krizës në Lindjen e Mesme në bazë të vendosjes së shtetit të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967 dhe me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”, tha Abbas. 

Duke theksuar se është i qartë fakti se vendbanimet janë ilegale, Abbas tha se nuk e kupton pse “pala tjetër” është aq e shqetësuar me këtë rezolutë të Këshillit të Sigurimit. 

Abbas u shpreh se dëshiron që lëvizjet palestineze Fatah dhe Hamas të arrijnë marrëveshje dhe unitet kombëtar. “Le të kthehet kështu autoriteti palestinez edhe në Gazë meqë nuk ka Palestinë pa Gazën”, porositi Abbas. 

Këshilli i Sigurimit me 14 vota pro dhe me abstenim të SHBA-ve miratoi rezolutën me të cilën i bëhet thirrje autoriteteve izraelite që urgjentisht të ndërpresin ndërtimin e vendbanimeve ilegale hebreje në territorin e okupuar palestinez. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli nuk do ta njoh këtë rezolutë dhe e vlerësoi si anti-izraelite.



Lajme të ngjashme