Liban – Hyn në fuqi qeveria e re e drejtuar nga Saad Hariri

Qeveria e re e Libanit e drejtuar nga Saad Hariri mori zyrtarisht detyrën të dielën, me përfaqësues nga i gjithë spektri politik i vendit...

Liban – Hyn në fuqi qeveria e re e drejtuar nga Saad Hariri

Qeveria e re e Libanit e drejtuar nga Saad Hariri mori zyrtarisht detyrën të dielën, me përfaqësues nga i gjithë spektri politik i vendit, përveç Partisë Falangiste Libaneze (LPP - e krishterë), e cila refuzoi portofolin që i ishte propozuar.

Kështu ka marrë fund kriza politike për formimin e qeverisë libaneze, çështje e cila nuk arrihej të zgjidhej dot që prej vitit 2014.

“Është një qeveri mirëkuptimi”, u shpreh Hariri, lider i Lëvizjes Ardhmëria (FM). E formuar gjashtë javë pas zgjedhjes së Presidentit Michel Aoun, ajo përbëhet nga 30 anëtarë dhe pesë ministri të reja.

Vetëm një grua bën pjesë në kabinetin e ri, sekretarja e Shtetit për Çështjet Administrative.

Ndër portofolat e reja janë ai i Luftës kundër Korrupsionit, plagë që po gangrenizon jetën politike libaneze, ndërkohë që për herë të parë është formuar një Sekretariat Shteti për Gruan dhe një tjetër për të Drejtat e Njeriut.

Emrat kyç të kabinetit Hariri janë Gebran Bassil në postin e ministrit të Punëve të Jashtme, Nohad Machnouk në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Yacoub Sarraf si ministër i Mbrojtjes.

Saad Hariri, 46 vjeç, kundërshtar i ashpër i regjimit sirian, vjen sërish në pushtet pas një mungese prej pesë vjetësh. Ai e ka drejtuar qeverinë e Libanit edhe më parë në vitet 2009-2011. Qeveria e tij përfshin dy ministri të drejtuara nga përfaqësues të dy partive shiite të Hizbullahut, anëtarë të së cilës janë të akuzuar përpara Gjykatës së Posaçme të Kombeve të Bashkuara për Libanin (STL) për planifikimin e vrasjes së babait të tij, Rafic Hariri, në vitin 2005.

Prioriteti kryesor i qeverisë do të jetë mbrojtja e vendin nga pasojat negative të krizës siriane.

Qeveria do të punojë për përgatitjen e një ligji të ri elektoral në kuadrin e zgjedhjeve të reja parlamentare të 2017-s, temë delikate që përçan partitë dhe komunitetet fetare në një vend, ku politika bazohet në barazinë mes të krishterëve dhe myslimanëve.

Kryeministri Hariri njoftoi gjithashtu krijimin e një Sekretariati të Shtetit për më tepër se një milion refugjatët e ardhur nga Siria dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të marrë përsipër përgjegjësitë lidhur me ndihmën në përballimin e kësaj barre”.

Deri në arritjen e marrëveshjesh për formimin e qeverisë, disa grupe politike libaneze, me në krye Hizbullahun, kundërshtuan fuqishëm që Saad Hariri të bëhej kryeministër i vendit.



Lajme të ngjashme