Pekini vendos t’i kthejë SHBA-së nëndetësen e kapur në Detin e Kinës Jugore

Flota kineze do t’i kthejë Shteteve të Bashkuara të Amerikës sondën e telekomanduar, të cilën e kishte sekuestruar në ujërat e Detit të Kinës Jugore...

Pekini vendos t’i kthejë SHBA-së nëndetësen e kapur në Detin e Kinës Jugore

Flota kineze do t’i kthejë Shteteve të Bashkuara të Amerikës sondën e telekomanduar, të cilën e kishte sekuestruar në ujërat e Detit të Kinës Jugore.

Zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook, bëri një komunikatë me shkrim në lidhje me nëndetësen e telekomanduar, që ishte kapur nga autoritetet kineze.

“Kundërshtojmë fuqishëm sekuestrimin e kundërligjshëm nga Kina të nëndetëses së telekomanduar, e cila lundronte në ujërat ndërkombëtare të Detit të Kinës Jugore. Si rezultat i bisedimeve të drejtpërdrejta me autoritetet kineze, morëm garancinë se kinezët do t’i kthejnë SHBA-së sondën e telekomanduar”, thuhej në komunikatën e zëdhënësit të Pentagonit.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes së Kinës, e cila ka deklaruar se do t'i dorëzojë SHBA-së nëndetësen e kapur në Detin e Kinës Jugore.

Zëdhënësi i këtij dikasteri, Yang Yujun, ka thënë se hetimet në lidhje me mjetin nënujor të sekuestruar nga ushtria kineze kanë përfunduar dhe se kontakti mes Kinës dhe SHBA-së në lidhje me këtë çështje vazhdon.

Duke tërhequr vëmendjen se SHBA-ja dërgon shpesh avionë dhe nëndetëse zbulimi në Detin e Kinës Jugore, Yang Yujun ka theksuar se “Kina është kundër këtyre veprimeve të SHBA-së dhe kërkon nga zyrtarët e Uashingtonit që t’u japin fund veprimeve të tilla”.

Ai paralajmëroi gjithashtu se do të vazhdojnë të marrin masat e nevojshme kundër veprimeve të tilla të SHBA-së.

Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës bëri të ditur të shtunën se kishte konstatuar një nëndetëse të telekomanduar në Detin e Kinës Jugore dhe se kishte nisur një hetim në lidhje me mjetin nënujor në fjalë.

Nga ana tjetër, Kapiteni Jeff Davis, një nga zëdhënësit e Pentagonit, njoftoi të njëjtën ditë se Kina kishte sekuestruar një sondë të telekomanduar amerikane, e cila grumbullonte të dhëna shkencore, duke kërkuar nga autoritetet e Pekinit rikthimin e nëndetëses.

Administrata e Pekinit, e cila përpiqet të fuqizojë praninë e saj në ujëra konfliktuale duke ndërtuar baza ajrore dhe komplekse civile në disa ishuj artificialë, që ajo vetë ka ndërtuar në Detin e Kinës Jugore, ka probleme sovraniteti me disa vende fqinje, mes të cilave ia vlen të përmenden Filipinet, Vietnami, Brunei dhe Malajzia, në lidhe me këtë rajon të pasur me burime nënujore e nëntokësore.

Pretendimet e Pekinit zyrtar mbi Detin e Kinës Jugore kundërshtohen me forcë jo vetëm nga vendet fshiqe, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



Lajme të ngjashme