Trump: Qesharake pretendimet e CIA-s për sulme kibernetike gjatë presidencialeve

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit...

Trump: Qesharake pretendimet e CIA-s për sulme kibernetike gjatë presidencialeve

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit.

Donald Trump iu përgjigj pyetjeve në lidhje me lajmin mbi raportin e CIA-s, publikuar në gazetën e përditshme “The Washington Post”, gjatë një interviste ekskluzive me televizionin amerikan “Fox News”.

Trump u shpreh se kërkesa është një justifikim nga demokratët për të shpjeguar fitoren e tij ndaj Hillary Clinton.

“Ne korrëm një fitore të madhe në shkallë vendi. Ata po nxjerrin çdo javë një justifikim tjetër”, tha Trump duke e cilësuar pretendimin e CIA-s si qesharak.

Kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë, që do të marrë zyrtarisht detyrën më datë 20 janar 2017, iu përgjigj edhe pretendimeve kinse ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale amerikane është bërë përmes sulmeve kibernetike.

“Askush nuk është plotësisht në dijeni se çfarë ka ndodhur atë ditë. Ata nuk ia kanë idenë nëse pas kësaj është Rusia, Kina apo dikush tjetër dhe ky dikush mund të jetë një njeri, që ndodhet në të njëjtin vend me ju. Nëse piratët kompjuterikë nuk arrini t’i kapni në flagrancë, atëherë nuk mund t’i kapni më kurrë”, deklaroi Trump.

Sipas lajmit të publikuar në ditoren “The Washington Post”, CIA dhe 17 shërbime informative të ndryshme, të cilat kanë dhënë kontribut në këtë operacion të pretenduar nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës në SHBA, kanë arritur në përfundimin se Rusia është përfshirë në sulme kibernetike ndaj sistemit kompjuterik të zgjedhjeve presidenciale amerikane të 8 nëntorit.



Lajme të ngjashme