Merkel kritikon ritmin e ngadaltë në zbatimin e marrëveshjes BE-Turqi

Raporti i fundit nxori në pah se BE-ja ka marrë nga Turqia vetëm 2.761 refugjatë në vend të 72 mijë që duhet të kishte pranuar deri tani.

Merkel kritikon ritmin e ngadaltë në zbatimin e marrëveshjes BE-Turqi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu sot pakënaqësi nga zvarritjet e shënuara në zbatimin e marrëveshjes mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë, që synon të ndërpresë korridorin emigrator në detin Egje.

“Kufijtë tokësorë janë shumë më të lehtë për t’u mbrojtur se kufijtë detarë. Kjo ishte arsyeja e marrëveshjes BE-Turqi. Fatkeqësisht nuk janë shënuar progrese në zbatim të marrëveshjes siç ishte parashikuar”, u shpreh Angela Merkel në një podcast të përjavshëm.

Ndërkaq Komisioni Evropian në raportin e katërt të publikuar në lidhje me marrëveshjen BE-Turqi për refugjatët, thekson se falë kësaj marrëveshjeje kalimet e refugjatëve janë reduktuar në 81 refugjatë nga rreth 6 mijë në ditë që ishte numri para nënshkrimit të marrëveshjes.

Sipas marrëveshjes në periudhën e parë në vendet e BE-së duhet të shpërndaheshin rreth 18 mijë refugjatë, ndërsa sipas nevojave duke shtuar edhe 54 mijë të tjerë gjithsej duhet të shpërndaheshin 72 mijë refugjatë të rregullt që do të dërgoheshin nga Turqia.

Marrëveshja parashikonte që këto shpërndarje të fillonin menjëherë pas rënies së numrit të kalimeve ilegale.

Por raporti i fundit nxori në pah se BE-ja ka marrë nga Turqia vetëm 2.761 refugjatë në vend të 72 mijë që duhet të kishte pranuar deri tani. Ndërkohë drejt Turqisë janë kthyer 748 refugjatë. Edhe pse kalimet ilegale kanë pësuar një rënie serioze dhe të qëndrueshme, vendet anëtare të BE-së nuk kanë respektuar marrëveshjen e pranimit të refugjatëve në mënyrë vullnetare.



Lajme të ngjashme