Kryeministri francez njofton kandidaturën për zgjedhjet presidenciale

Kryeministri francez, Manuel Valls njoftoi të hënën se do të japë dorëheqjen dhe do të jetë kandidat në zgjedhjet presidenciale 2017

Kryeministri francez njofton kandidaturën për zgjedhjet presidenciale

Kryeministri i Francës, Manuel Valls njoftoi të hënën se do të japë dorëheqjen dhe do të jetë kandidat në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në 2017-ën.

“Do të marr pjesë në garën presidenciale për të bashkuar të majtën, shumë të ndarë përballë një të djathte dhe një ekstremi të djathtë tashmë të hedhur në betejë”, tha Valls i partisë Socialiste në një konferencë shtypi që mbajti në qytetin Evry, ku dikur ka qenë kryetar bashkie.

Dua një Francë të pavarur, të lidhur fortë pas vlerave të saj përballë Vladimir Putinit të Rusisë, Donald Trumpit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rexhep Tajip Erdoanit të Turqisë dhe Shi Xhipingut të Kinës”, tha Manuel Valls, ndërsa shtoi se është i angazhuar sepse nuk do që Franca të rijetojë traumën e vitit 2002 me një ekstrem të djathtë në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.  

Rruga e Vallsit, i cili postin e kryeministrit gjatë presidencës së François Hallande e mban që nga 31 marsi 2014, për të marrë pjesë në garën presidenciale ishte hapur me deklaratën e Presidentit në detyrë, François Holande më 1 dhjetor se nuk do të rikandidonte në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

“Paraprakja që po afrohet është një mënyrë e shkëlqyer për të rikrijuar bashkimin”, konfirmoi Valls duke u bërë thirrje të gjithë francezëve të refuzojnë ekstremin e djathtë”.

Sipas sondazheve publike, popullariteti i Hollande muajt e fundit kishte rënë nën 10%, kurse ai i Valls ishte pak më i lartë se kjo shifër.

Në kuadër të zgjedhjeve paraprake për përcaktimin e kandidatit të Partisë Socialiste, zgjedhje që do të zhvillohen në datat 22-29 janar, kandidatët e kësaj partie aplikimet duhet ti bëjnë deri më 15 dhjetor.

Partia e Republikanëve, forca e qendrës së djathtë në Francë, me zgjedhjet që zhvilloi dy javë më parë si kandidat për president ka përcaktuar një prej ish-kryeministrave të vendit, François Fillon.

Zgjedhjet presidenciale në Francë zhvillohen në dy raunde dhe do të mbahen në datat 23 prill e 7 maj 2017.

Sipas anketave të deritanishme kandidatët më të fortë të garës janë ai të qendrës së djathtë, Fillon, dhe liderja e eksremistëve të djathtë, Partisë së Frontit Kombëtar, Marine Le Pen. Kurse Partisë Socialiste në pushtet sondazhet nuk i japin shumë shanse.



Lajme të ngjashme