Koment – Halepi Lindor, kryeqyteti i mospërfilljes perëndimore!

Perëndimi vazhdon të heshtë përballë dramës njerëzore në Siri, e cila përjeton një nga masakrat civile më të mëdha të historisë së njerëzimit që nga Lufta II Botërore e deri më sot.

Koment – Halepi Lindor, kryeqyteti i mospërfilljes perëndimore!

Në gjysmën e parë të viteve 1990, si reagim kundër tentativës për spastrim etnik në Bosnjë, një etiketë shumë popullore asokohe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thoshte: “Gjaku i boshnjakëve është një njollë në fytyrën e njerëzimit!” Gjatë luftës për ekzistencë të shoqërisë boshnjake mes viteve 1991-1995, dhjetëra-mijëra njerëz kanë humbur jetën, janë syrgjynosur dhe bërë pre e çdolloj mizorie. Ato vite dëshmonin një çaktivizim thuajse të plotë të Rusisë në skenën politike botërore krahas barbarizmave në Bosnjë-Hercegovinë. Edhe pse kështu, shtetet perëndimore të fillim viteve 1990 preferuan që të mos reagonin dhe të qëndronin spektatorë në lidhje me krizën boshnjake. Sepse, po të ishte ndryshe dhe të përvetësonin një qëndrim të vendosur, gjakderdhja dhe nëpërkëmbja e dinjitetit njerëzor në Bosnjë do të merrnin fund brenda një kohe shumë më të shkurtër.

Mirëpo në 5 vitet e fundit një gjendje përgjumjeje dhe moskokëçarjeje mjaft më e madhe sesa ajo e vërejtur në Bosnjë është përjetuar në Siri. Pika e arritur sot në Halepin Lindor është një rezultat dhe pasojë e dështimit të politikave të Perëndimit për Sirinë. Siç është shprehur edhe një vëzhgues ndërkombëtar për situatën e sotme në qytetin më të populluar sirian: “Halepi Lindor është kryeqytet i mospërfilljes perëndimore!” Forcat ushtarake besnike të Esadit, të mbështetura fuqimisht nga Rusia, janë duke përparuar drejt zonës së fundit të mbrojtur nga opozitarët në Halep. Ndërsa bota duket se do të mjaftohet me përllogaritjen e kostos së fatkeqësisë ushtarake dhe humanitare, të cilën tashmë ka dështuar që ta parandalojë.

Fiaskoja e vendeve perëndimore në lidhje me Sirinë është kaq e qartë dhe lakuriqe, saqë tani po flitet haptazi madje dhe në parlamentet e tyre. Një tregues flagrant i kësaj është seanca e jashtëzakonshme e Bundestagut (Parlamenti Federal i Gjermanisë) për Sirinë. Norbert Rottgen, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, deklaroi pa u ndrojtur aspak gjatë fjalës së rastit në këtë seancë se vendet perëndimore kanë rezultuar të pamjaftueshme, të mangëta dhe të paafta në ndalimin e ngjarjeve barbare në qytetin Halep të Sirisë. Pozicionin e vendeve perëndimore karshi tragjedisë humanitare në Halep Norbert Rottgen e cilësoi si gjendje lipotomie (të fikëti). Sipas tij “Halepi është simboli i fatkeqësisë më të madhe të politikës së jashtme perëndimore gjatë viteve të fundit”.

Këto ditë, e gjithë bota po dëshmon një katastrofë humanitare me përmasa kolosale, aq sa do të regjistrohet padyshim në faqet më të errëta të historisë. Rruga drejt kësaj katastrofe u hap nga angazhimi forcave ushtarake të Rusisë në muajin prill të vitit 2015. Pavarësisht mbështetjes së Iranit, Irakut dhe Hizbullahut libanez, fundi i pashmangshëm për regjimin e Esadit dukej qartë në horizont gjatë tremujorit të parë të 2015-s.

Por qëndrimi perëndimor në lidhje me “Sirinë pa Esadin” ishte i pavendosur. Gjithashtu faktori DAESH bëri që veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës të fokusohen mbi luftën kundër organizatës terroriste në fjalë. Këtë situatë Rusia e vlerësoi si një shans të papërsëritshëm dhe angazhoi një forcë ushtarake jo-proporcionale për të mbrojtur regjimin e Esadit. Duke filluar që nga prilli i 2015-s, Rusia po kryen një fushatë sulmesh ajrore intensive pa përjashtuar popullatën civile, spitalet dhe shkollat. Përveç fushatës së bombardimeve intensive, Halepi Lindor ka mbetur pa ujë dhe po vuan një mungesë të theksuar ushqimesh. Këto sulme ajrore kanë marrë në shënjestër prej javësh zonat e kontrolluara nga opozitarët, në qytetin me densitet më të lartë në Siri.

Që nga muaji prill 2015 e deri më sot, në sulmet ajrore ruse kanë humbur jetën mbi 2.700 njerëz dhe janë plagosur me dhjetëra-mijëra të tjerë, nga të cilët shumë janë gjymtuar. Që nga 26 nëntori i këtij viti e deri më sot, të paktën 25.000 persona janë larguar nga Halepi Lindor; ndërkohë që rreth 50.000 banorë mendohet që vazhdojnë ende të jetojnë në atë zonë.

Rusia po përpiqet të spastrojë Halepin Lindor nga forcat opozitare deri më datë 20 janar 2017 duke u nisur nga hipoteza se administrata amerikane, në tranzicion politik deri në ditën e betimit të presidentit të ri të vendit, nuk do të reagojë kundër hapave të Moskës. Edhe pse nuk pritet një diçka e tillë prej tij, vetëm prania e mundësisë që administrata e Donald Trumpit të mbajë një qëndrim të ashpër po e shtyn lidershipin rus që të përdorë më tepër forcë ushtarake. Pastrimi i opozitarëve nga sa më shumë zona të Sirisë, përfshi këtu edhe Halepin Lindor, mendohet se do të detyrojë presidentin e ri amerikan që të pranojë realitetin e ri në Siri.

Në Siri po jetohet një nga masakrat civile më të mëdha të historisë së njerëzimit që nga Lufta II Botërore e deri më sot. Mirëpo, pavarësisht dhjetëra vështirësive të papërshkrueshme, mjekët dhe organizatat e ndryshme civile në Halepin Lindor po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të lehtësuar sadopak dhimbjet. Ata që sot po përdorin çdolloj force duke masakruar mijëra njerëz për interesa afatshkurtra në Siri, një ditë, kur stuhia të jetë qetësuar, nuk i pret gjë tjetër veçse gjykatave historike, të cilat do t’i procedojnë si kriminelë lufte.

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme