Trump për “CBS”: Do të dëbojmë rreth 3 milionë emigrantë ilegalë

Republikani Donald Trump, i zgjedhur president i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bëri me dije se planifikon të deportojë me shpejtësi rreth 3 milionë emigrantë të jashtëligjshëm...

Trump për “CBS”: Do të dëbojmë rreth 3 milionë emigrantë ilegalë

Republikani Donald Trump, i zgjedhur president i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bëri me dije se planifikon të deportojë me shpejtësi rreth 3 milionë emigrantë të jashtëligjshëm.

Në një intervistë televizive për kanalin “CBS”, Donald Trump u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me politikën e brendshme dhe atë të jashtme të SHBA-së gjatë mandatit të tij.

Pasi theksoi se “emigrantët ilegalë, të cilët kanë bërë krime dhe janë anëtarë të karteleve të drogës apo të organizatave kriminale, duhet të dëbohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, Trump vijoi me këto fjalë: “Ose arrijmë me sukses t’i nxjerrim jashtë vendit tonë këta persona ose i fusim ata në burg.”

Kështu, presidenti i zgjedhur amerikan përsëriti në këtë intervistë qëndrimin e tij, të cilin e kishte shpalosur edhe gjatë fushatës elektorale, se do të luftojë emigracionin e jashtëligjshëm, do të deportojë emigrantët ilegalë dhe do të ndërtojë një mur në kufirin Meksikë-SHBA.

Sa u përket opinioneve kinse qytetarët me ngjyrë dhe ata myslimanë të SHBA-së kanë filluar të jetojnë me frikë pas zgjedhjeve të 8 nëntorit, Donald Trump reagoi duke thënë se “kjo frikë po përgatitet dhe ndërtohet nga media”.

Duke pretenduar se në të vërtetë protestuesit nuk e njohin edhe aq mirë atë, Trump nënvizoi se midis protestuesve janë infiltruar gjithashtu profesionistë, të cilët përpiqen që të provokojnë situatën dhe të përshkallëzojnë demonstratat në dhunë.

“Shpresoj që manifestimet protestuese të marrin fund një orë e më parë”, deklaroi ai dhe u kërkoi demonstruesve pak kohë për ta njohur atë.

Ndërsa në përgjigje të pyetjes mbi rrugën që ai do të ndjekë për të luftuar organizatën terroriste DAESH, Trump tha se nuk dëshiron të japë detaje në lidhje me këtë çështje, pasi nuk është as rasti dhe as koha e përshtatshme.

Por – shtoi ai – po ju them vetëm se do të shpëtojmë plotësisht nga DAESH-i.

Mes të tjerash, Donald Trump tërhoqi vëmendjen mbi buxhetin marramendës, që SHBA-ja shpenzon në Lindjen e Mesme për luftën kundër terrorizmit.

“Kemi shpenzuar 6 trilionë dollarë në Lindjen e Mesme. Me këtë shumë mund ta themelonim vendin tonë dy herë nga e para. Shikoni rrugët, urat, tunelet dhe aeroportet tona, të gjitha janë vjetruar shumë”, u shpreh ai.

Në fund, Trump theksoi se nuk do të pranojë të marrë as rrogën prej 400 mijë dollarësh të presidentit.

“Me sa duket, ligji më detyron që ta marrë, prandaj do të marrë vetëm 1 dollar”, përfundoi miliarderi.



Lajme të ngjashme