Përparojnë bisedimet e Qipros në Zvicër

Zëdhënësi i Presidencës së Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Barësh Burxhu (Barış Burcu) tha se në negociatat e Qipros që vazhdojnë në Zvicër është arritur një përparim i konsiderueshëm.

607676
Përparojnë bisedimet e Qipros në Zvicër

Bisedimet zhvillohen në qytezën Mont Pelerin të Zvicrës nën vëzhgimin e Kombeve të Bashkuara (OKB) për gjetjen e një zgjidhjeje ndaj problematikës së Qipros. Palët në 3 ditët e para të bisedimeve kanë trajtuar 4 pikat e para, për të cilat nuk arritur konsensusi. Kurse tani në tryezën e negociatave po zbret për herë të parë çështja e territorit, e cila është një nga pikat më kritike të negociatave dhe vlerësohet si një nga kryefjalët më të vështira të procesit.

Ndërkohë që negociatat vazhdojnë me një maratonë bisedimesh Zëdhënësi i Presidencës së Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Barësh Burxhu (Barış Burcu) mbajti një takim me gazetarët.

Procesi po përparon në një atmosferë pozitive, - tha Burxhu, dhe vijoi me këto fjalë deklaratën e tij për gazetarët: “Si fillim mund t’ju them se po punojmë në një atmosferë të mirë edhe mbi kriteret e territorit. Mund të them se deri tani zhvillimet kanë ecur sipas planit dhe kanë qenë të kënaqshme”.

Zëdhënësi Barësh Burxhu shtoi se në rast të arritjes së konsensusit në kriteret e territorit do të kalohet në fazën e fundit.

- Ecuria e deritanishme e bisedimeve të Qipros

Në ditën e tretë të negociatave, të cilat po mbahen në qytezën Mont Pelerin të Zvicrës nën vëzhgimin e Kombeve të Bashkuara për gjetjen e një zgjidhjeje ndaj problematikës së Qipros do të diskutohet në tryezë për herë të parë çështja e territorit.

Në dy ditët e para të takimit janë zhvilluar negociata për përfundimin e temave, ku më parë janë shënuar përparime, si në ekonomi, pronësi dhe ndarjen e pushtetit. Pavarësisht nëse është arritur progres në temën e pronësisë, kjo çështje nuk është mbyllur plotësisht në fund të ditës së dytë.

Sipas informacioneve të marra nga burimet diplomatike mësohet se në ditën e tretë dhe të katërt të takimit në rast se formohet Qiproja e Bashkuar Federale do të negociohen kriteret territoriale, të cilat do të përbëjnë bazën e rregullave kufitare administrative të shteteve themeluese, të Qipros Turke dhe të Qipros Greke.

Në rast të dakordimit për kriteret vihet në dukje se do të kalohet në fazën e tretë, ku më 11 nëntor që është edhe dita e fundit e takimit do të diskutohet tema "Siguritë dhe garancitë", për të folur në mënyrë koncize mbi hartën, kriteret e dakorduara, ku dhe do të bëhet shpallja duke përcaktuar datën e Konferencës së Pesëshes ndërkombëtare, në të cilën do të marrin pjesë Turqia, Greqia dhe Britania e Madhe.

Ndërsa nëse se nuk konfirmohet data e Konferencës së Pesëshes theksohet se nuk do të jetë e mundur ardhja në tryezë e çështjes së hartës dhe do të prishet dakordimi i arritur në Qipro dhe që u është përcjellë me shkrim liderëve nga ana e OKB-së, kështu procesi nuk do të mund të përparojë.

- Data e Konferencës së Pesëshes

OKB-ja dhe rrethet diplomatike vlerësojnë se nëse këto përpjekje dështojnë dhe se nga Zvicra nuk do të ketë një kthim në datën e Konferencës së Pesëshes pala grekoqipriote do të ketë një përgjegjësi të madhe mbi këtë çështje.

Problematika e Qipros përbëhet nga 6 tema kryesore, të cilat janë: 1. Ekonomia, 2. Bashkimi Evropian, 3. Pronësia, 4. Ndarja e pushtetit-qeverisjes, 5. Territoret, 6. Siguria dhe Garancitë.

Në procesin e negociatave, i cili vazhdon që prej gjysmë shekulli, në 18 muajt e fundit Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut, Mustafa Akënxhë (Akıncı) dhe lideri i qeverisjes grekoqipriote, Nikos Anastasiadis janë takuar 57 herë dhe këto takime kanë zgjatur afërsisht 200 orë.

Në të njëjtën periudhë negociatorët dhe delegacionet teknike të palëve kanë zhvilluar 129 takime, të cilat kanë zgjatur mbi 600 orë. Progresi i arritur në 18 muaj ishte cilësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon si "Progresi unik i paparë deri më sot".

Samiti Mont Pelerin u njoftua si një hap përfundimtar për arritjen e zgjidhjes përfundimtare në ishull.

Në takimin e 25 tetorit liderët e ishullit kishin vendosur për përparimin në 4 temat e para gjatë dy ditëve të para të bisedimeve në Zvicër, ndërsa në dyditëshin e dytë vendosën negocimin me qasjen për dakordimin në kritere.

Sipas dakordimit të arritur në praninë e zyrtarëve të OKB-së, liderët në rast se arrihet edhe konsensusi në kriteret e territorit, do të përcaktojnë datën kur do të mbahet Konferenca e Pesëshes, gjë që njëkohësisht përfshin edhe mundësinë për të biseduar mbi temën territoriale më 11 nëntor, që është edhe dita e fundit e negociatave. Dakordimi i Zvicrës u ishte përcjellë liderëve me shkrim nga Këshilltari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Espen Barth Eide.

Ndërsa bëhet e ditur se janë marrë masa të gjera të sigurisë përreth hotelit, ku zhvillohen negociatat dhe se gazetarët nuk lejohen të hyjnë në hotel.

Në kuadër të vendimeve të marra negociatat mbahen në fshehtësi dhe gjithashtu planifikohet që mos të jepen deklarata zyrtare dhe intervista nga palët për 5 ditë me radhë.

Negociatat për Qipron në Zvicër do të përfundojnë ditën e premte më 11 nëntor.



Lajme të ngjashme